Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin, ka qenë sot e pranishme në një aktivitet të organizuar në qytetin e Lezhës, në lidhje me sigurinë në qytet. Të pranishëm në takim, krahas përfaqësuesve shtetërorë, ishin edhe ata fetarë. Kështu, Hoxha i Lezhës, në fjalën e tij propozoi të kthehej dënimi me vdekje. Ai tha para Vlahutin:
“Shqipëria është një rast i veçantë dhe në Komunitetin Europian duhet të pranohet si një rast i veçantë, për arsye se nëse rikthehet dënimi me vdekje, do të mbyllen shumë plagë sociale që kanë mbërthyer vendin në më shumë se dy dekada”.
Nga ana tjetër, Vlahutin e mohoi në mënyrë kategorike këtë kërkesë të Hoxhës, duke ia prerë shkurt. Ajo u shpreh:
“Jeta e çdo njeriu duhet mbrojtur. Duhet ndërtuar një shtet i së drejtës, për të cilin ne po përpiqemi shumë që të funksionojë, por dënimi me vdekje është diçka që nuk pranohet nga BE”.