Orët e fundit është përhapur në media dhe rrjete sociale lajmi për rikthimin pas 32 vitesh i Orkestrës Simfonike të Shkodrës. Një lajm mjaft i mirë për artin e kulturën, angazhimin e forcave artistike që Shkodrës nuk i kanë munguar kurrë. Por në fakt, ka patur një lapsus apo pasaktësi në përcjelljen e lajmit të mirë për të gjithë.
Në fakt, Orkestrën Simfonike të Shkodrës, pas 17 viteve mungesë, e ka sjellë në 2007- ën dirigjenti Kujtim Alija, i cili sot fatkeqësisht nuk jeton më. Premiera e rikthimit të Orkestrës Simfonike të Shkodrës u mbajt në Teatrin “Migjeni”, me 19 tetor 2007, ora 19.00 me një simbolikë të fortë që lidhet me Nënë Terezën.
Me një kërkim të thjeshtë në internet, gjenden mjaft materiale që tregojnë e vertetojnë këtë fakt. Ne përzogjëm një shkrim të publikuar një ditë me pas në Gazeta Shqiptare, pra me 20 tetor 2007 nga gazetarja Brikena Shllaku. Në fakt, pas këtij emri “arti” është një emër i një gazetareje të njohur shkodrane, të cilën shumë kolegë e njohin. Më poshtë lajmi i publikuar:
Rikthehet në Shkodër pas 17 vitesh, orkestra simfonike shumë e njohur ndër vite për profesionalizmin dhe aktivitetet e saj, jo vetëm në këtë qytet, por në gjithë vendin tonë. Riorganizimi i kësaj orkestre konsiderohet si një ndër evenimentet më të rëndësishme kulturore në Shkodër. Me nismën e Departamentit të Kulturës në Bashkinë e Shkodrës dhe në veçanti të kryebashkiakut Lorenc Luka por edhe dirigjentit të mirënjohur Kujtim Alia, është organizuar pasditen e djeshme dhe koncerti i parë i orkestrës simfonike.
Aktiviteti është zhvilluar në orën 19:00, në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Në një intervistë të dhënë për “Gazeta Shqiptare”, dirigjenti Alia tregon me detaje punën e bërë për riorganizimin e kësaj orkestre. Ai pohon se aktiviteti i parë i saj u realizua me rastin e 19 Tetorit, Ditës së Lumturimit të Shenjtores Nënë Tereza. Sipas Alisë, rikthimi pas shumë vitesh i orkestrës simfonike ka si qëllim jo vetëm gjallërimin e jetës artistike e kulturore në kryeqendrën e veriut, por dhe risjelljen e vlerave të harruara.
Si ju lindi ideja për riorganizimin e orkestrës simfonike?
Pas hedhjes së idesë nga Departamenti i Kulturës në Bashkinë e Shkodrës, unë dhe një grup muzi-kantësh profesionistë dhe joprofesionistë që jetojnë dhe punojnë në Shkodër, u mblodhëm dhe me vullnetin e mirë vendosëm të marrim përsipër realizimim e një koncerti sinfonik. Kjo me rastin e Ditës së Lumturimit të Nënë Terezës. Përveçse realizimit të këtij aktiviteti, qëllimi ynë ishte rikthimi para artëdashësve të qytetit tonë të orkestrës sinfonike, shumë e njohur kjo ndër vite për realitetin shqiptar. Ky formacion i ngritur totalisht me forcat ekzekutuese të qytetit tonë, rikthehet me dëshirën e mirë për të pasuruar jetën kulturore e artistike, si dhe për rigjallërimin e muzikës simfonike.
Cilët janë muzikantët që përbëjnë orkestrën simfonike?
Orkestra u riorganizua falë një bashkëpunimi shumë të mirë mes pedagogëve të shkollës së Muzikës “Preng Jakova” në Shkodër dhe nxënësve të talentuar të kësaj shkolle. Është një bashkëpunim shumë i mirë mes brezash.
Mendoni se do të ketë vazhdimësi kjo nismë e juaja?
Nismëtarët e këtij aktiviteti, mendojnë dhe dëshirojnë që orkestra simfonike e Shkodrës, me këtë rinisje ta vazhdojë veprimtarinë e saj të atashuar pranë institucionit të Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”, pjesë e së cilës ka qenë. Ne po punojmë për këtë vazhdimësi. Ishte një periudhë 17-vjeçare ku u larguan shumë muzikantë, ndërsa tani duket se situata është përmirësuar. Aktualisht po përgatiten emra të rinj të talentuar. Po kështu është dhe një bazë shumë e mirë e muzikantëve të talentuar që përbëjnë brezin e vjetër.
Koncerti i parë i juaji përkon në një datë të shënuar. Çfarë përzgjodhët për reporterin e saj?
Po, sigurisht kemi dy gëzime në një ditë. Kemi realizuar një koncert tematik simfonik, në nderim të figurës së madhe të Nënë Terezës, në Ditën e Lumturimit të saj. Në repertor janë pjesë nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore dhe asaj shqiptare si: Shubert, Shtraus, Verdi, Preng Jakova etj.
LEXONI EDHE: FOTO – Rikthehet në aktivitet Orkestra Simfonike e Shkodrës, debutimi premierë para publikut në mars të këtij viti
Ndoshta edhe i ndjeri Kujtim Alija sot, nuk ia arriti ta mbajë në këmbë gjatë Orkestrën Simfonike të Shkodrës. Por ajo që duhet kujtuar dhe vlerësuar, është se dirigjenti dhe drejtuesi i Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Shkodër që mban sot emrin e tij, Kujtim Alija, e riktheu për herë të parë pas 1990- ës Orkestrën Simfonike të Shkodrës. Ky është thjesht një saktësim që nuk i heq asnjë meritë rikthimit të dytë të Orkestrës Simfonike të Shkodrës, 16 vite pasi e riktheu i madhi dhe i paharrueshmi Kujtim Alija. Ndoshta dje, ndokush nga instrumentistët që ishin pjesë edhe në 2007- ën, duhej ta sillte në vëmendje këtë kontribut. “Çezarit” i duhet dhënë gjithmonë ajo që i takon. /ShkodraWeb/