Pas publikimit të një materiali nga një emision investigativ, ku ish- drejtori i Shkollës Pyjore në Shkodër pranon se ka falsifikuar notat nën presion, ka ardhur edhe reagimi i PD-së në Vaun e Dejësit. Ka qenë sekretari i kësaj dege Gentian Ndoj, ai që përmes një postimi në Facebook, ka trajtuar këtë çeshtje. Ai ka përdorur epitete mjaft të rënda, duke iu referuar ish- drejtorit të Shkollës Pyjore, i cili lihet të nënkuptohet se ka pozicione drejtuese dhe Bashkinë e Vau Dejësit.
Ndoj i ka bërë thirrje prokurorisë të nisë procedurat ligjore pa humbur kohë, ndërsa ka ftuar qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me pushtetin. Më poshtë, postimi i plotë i Gentian Ndoj në Facebook, i cili shoqërohet edhe me videon e emisionit investigativ.
Postimi i sekretarit të PD-së Vau Dejës Gentian Ndoj në Facebook
Edhe një herë më shumë rilindja shfaqet me fytyrën e saj të vërtetë, me fytyrën e hajdutit, të mashtruesit, të fallsifikuesit dhe shkelësit të Ligjit! Me prova dhe fakte, me zë dhe figurë, materiali i publikuar mbrëmë nga emisioni investigativ “Boom” ne RTV Ora News, është dëshmi e gjallë se kush drejton sot Bashkinë Vau Dejës.
Fallsifikatorë dhe mashtrues ordiner, të cilët në emër të shtetit abuzojnë me postet në institucionet që kanë uzurpuar, sot janë të emëruar në funksione drejtuese nga Kryetari i Bashkisë Vau Dejës. Partia Demokratike, prej kohësh ka denoncuar me forcë këto lloj drejtuesish, duke nisur nga Kryetari i Bashkisë dhe funksionarë të tjerë, të cilët janë të përfshirë në fallsifikime dhe abuzime me pushtetin.
Partia Demokratike, Dega Vau Dejës, fton Prokurorinë, që të nisë pa humbur kohë, procedurat ligjore në lidhje me rastin e publikuar në emisionin “Boom” dhe të hetohet ky person, i cili sot mban funksione publike dhe paguhet nga taksapaguesit e Bashkisë Vau Dejës. Nga ana tjetër, ftojmë qytetarët që të denoncojnë çdo rast abuzimi me pushtetin, ndërkohë që ne do të publikojmë çdo ditë prova konkrete, sesi sot në drejtimin e Bashkisë Vau Dejës, janë fallsifikatorë dhe njerëz që kanë shkeluar haptaz ligjin.
Të gjithë së bashku ti themi STOP këtij modeli, stop modelit te Rilindjes (Rama), të keqpërdorimit të posteve publike, të fondeve publike, stop shpërdorimit të detyrës, stop pabarazisë para ligjit!