Bashkia e Shkodrës është e persekutuar nga qeveria shqiptare lidhur me projektet në programin e bujshëm “Rilindja urbane”. Përfundimi është nxjerrë nga Inside Story në Top Channel, pasi janë krahasuar fondet e dhëna nga qeveria për bashki të ngjashme me Shkodrën.
Kështu, sipas shkresës zyrtare të Bashkisë Shkodër, për “Rilindja urbane” janë akorduar vetëm 1.7 milion euro. Madje, edhe shumica e atyre fondeve janë akorduar para ndarjes së re territoriale, e sidomos, për ish- komuna të qeverisura nga e majta.
Në emisionin Inside Story paraqiten shifra dhe të dhëna konkrete, duke krahasuar fondet e dhëna për bashkitë e vendit, teksa zyrtarisht Bashkia e Shkodrës hedh poshtë aludimet për mosdërgim apo hartim projektesh për të përfituar nga programi “Rilindja urbane”.
Sipas këtyre të dhënave, Bashkia e Shkodrës renditet e 44- ta ndër 61 bashkitë e vendit, e lënë pas edhe nga bashki modeste jo vetëm në territor e vlera, por edhe numër popullsie më të vogël se vetëm një rajon i qytetit.
Bashkia Shkodër nënvizon se qarku më i madh dhe i rëndësishëm i Veriut me të njëjtin emër, vijon të mbetet ndër të varfrit edhe për shkak të mosrealizimit të projekteve madhore infrastrukturore, që do to jepnin një shtysë zhvillimit ekonomik. /ShkodraWeb/