Klubi i Vllaznisë kërkon të afrojë sa më shumë ish-futbollistët shkodranë që kanë kontribuar ndër vite për fanellën kuqeblu. Në kujdesin e vetë presidentit Alban Xhaferi, së fundmi është marrë një nismë e veçantë me ata ish-lojtarë që jetojnë në Shkodër. Bëhet fjalë për hyrjen e tyre në stadium pa biletë.
Kësisoj, për të shmangur çdo keqkuptim, klubi shkodran u ka dhënë shumë “veteranëve” të futbollit shkodran një abone sezonale.
Të gjithë ata e kanë të përcaktuar në tribunën VIP të stadiumit se ku do të ulen, duke evituar në këtë mënyrë burokracinë që ka pasur me biletat në të kaluarën.
Emra të njohur si Sabah Bizi, Paulin Ndoja, Hysen Zmijani, Ismet Hoxha, Rauf Çanga, Zyhdi Basha, Ahmet Meta, Isa Sukaj, Fatmir Paçrami, Ferid Borshi, Avenir Dani dhe Armando Cungu kanë marrë tashmë abone sezonale.