Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka miratuar në mbledhjen e sotme Shoqërinë “Bio Strajca” sh.a. Sipas relacionit dërguar këshilltarëve bashkiakë, objekti i kësaj shoqërie aksionare me 100% në pronësi të Bashkisë Shkodër, është si më poshtë:
a)Ofrimin e shërbimeve në fushën e zhvillimit ekonomik për mirëfunksionimin e tregjeve publike dhe rrjetit të tregtisë
b)Organizimin e shërbimeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik vendor dhe ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj komunitetit.
c)Menaxhimin e tregjeve të produkteve bujqësore, tregjeve të kafshëve të gjalla, thertoret etj.
Nevoja për këtë shoqëri aksionare ka lindur pasi me shkresën prot. 9414 datë 6.7.2023 Bashkia Shkodër është njoftuar nga AZHBR se është shpallur fitues të projektit “Rikualifikim i Merkatos Rus (Mbulesa e Tregut)” dhe për akordimin e fondit duhet të përmbushen kriteret e specifikuara në VKM. 125, datë 01.3.2023.
Në zbatim të VKM nr.125, datë 01.03.2023 “Për përcaktimin e kritereve bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë e zhvillimin rural, për vitin 2023”, kërkohet krijimi i Shoqërive tregtare me kapital 100% shtetëror të zotëruara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
“Bio Strajca” sh.a. do të jetë me logo dhe vulë të vetën të përcaktuar nga themeluesi. Ajo themelohet, organizohet dhe funksionon si shoqëri aksionare publike me ortak të vetëm 100% kapital bashkinë Shkodër, në mbështetje të ligjit nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” i ndryshuar, ligjit nr.9901, datë 14.04.2008 “ Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, i ndryshuar.
Bashkia Shkodër ka të identifikuar nevojën për një rrjet tregtie i cili do të nxisë tregtimin e produktit lokal në të gjithë territorin. Duke filluar nga zona e Dukagjinit, Postriba, Guri i Zi, Rrethinat, Ana e Malit, Bërdica, Dajci e Velipoja zona e Shkodrës ka një potencial të madh dhe të diversifikuar bujqësor me produktet lokale specifike të cilat kërkojnë praninë e tregjeve për të nxitur tregtimin dhe zhvilluar ekonomite rurale.
Duke vlerësuar edhe sipërfaqen e madhe të tokave bujqësore dhe angazhimin e lartë të banorëve të zonave rurale në fushën e bujqësisë bashkia Shkodër sipas strategjise se zhvillimit 2015-2030 ka identifikuar nevojën për 4 tregje rajonale të produkteve bujqësore:
1. Tregu i produkteve lokale Shkodër
2. Tregu rajonal Berdice
3. Tregu rajonal Mes (postribe)
4. Tregu rajonal i peshkut
Plotësimi me investime i këtij rrjetit tregjesh është një angazhim i madh financiar i cili nuk mund të realizohet vetëm nga Bashkia, prandaj jemi përpjekur që të përfshijmë në realizimin e kwtyre investimeve edhe Ministrinë e linjës, përkatësisht ministrinë e Bujqësisë. Kemi dërguar projekt ide, për realizim të tregut të produkteve lokale në Shkodër pranë kësaj ministrie si dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me donatorë dhe partnerë privat të cilët mund të investojnë në realizimin e kwtyre investimeve, investime që do të kishin një impakt direkt në ekonominë rurale duke ndihmuar prodhuesit vendas që të kenë hapsirë tregtimi të produktit lokal.
Një tjetër investim që mund te realizohet është ai i krijimit të tregjeve të lëvizshme në qytet. Duke marrë parasysh që Bashkia Shkodër ka në dispozicion të saj një sipërfaqe të limituar të hapsirave publike, është menduar që në zonat ekzistuese ku tregtohen produktet bujqësore të behen rikualifikime dhe vendosje të stendave të tregtimit ambulant. Kështu është planifikuar krijimi i tregjeve ditore në Xhabije, në zonën e Isa Boletinit si dhe pranë Stacionit të Trenit.
Me bashkëpunimin e sektorit privat, kemi patur eksperiencë të mirë përmes realizimit të tregut të zdrales, ku nga investimi i realizuar nga Myftinia Shkodër është sistemuar pjesa më e madhe e tregtarëve në atë zonë. Jemi të gatshëm që të asistojmë privatë të tjerë që duan të zhvillojnë investime në këtë sektor, kjo edhe duke marrë parasysh që bashkia shkodër nuk disponon prona publike brenda qytetit.