Sipas njoftimeve që vijnë nga Koreja e Jugut, i shumëprituri smartfoni i përthyeshëm nga “Samsung”-u pritet të dalë zyrtarisht në shkurt të vitit tjetër në Kongresin Botëror të Telefonisë në Barcelonë, shkruan faqja e internetit “GSM Arena” e specializuar në risitë e telefonisë.
Në këtë raport thuhet se kompania i ka kërkuar partnerëve të fillojnë prodhimin e pjesëve për këtë pajisje duke filluar nga nëntori i këtij viti.
Madje edhe emri i kodifikuar i këtij telefoni është ndryshuar nga “Valley” në “Winner”, që sipas ekspertëve kjo tregon se projekti ka përfunduar fazën e zhvillimit dhe është në prag të prodhimit.
Për sa i përket telefonave të kategorisë “Galaxy S”, në këtë raport thuhet se nxjerrja e tyre është shtyrë me disa muaj dhe do të jetë në janar 2019.
Madje drejtori i përgjithshëm i “Samsung”-ut deklaroi në fillim të këtij viti se kompania po punon që të garantojë prodhimin e smartfonit të përthyeshëm dhe se do të quhet “Galaxy X”.