Në takimin përkujtimor për “13 Dhjetor 1990”, kryetari i shoqatës që mban emrin e kësaj date Luigj Curri, ka njoftuar dorëheqjen si kryetar. Duke folur para të pranishmëve, Curri ka thënë se pas mbledhjes së kryesisë, është vendosur edhe drejtuesi i ri i shoqatës, pikërisht Ervin Gjini. Në një prezantim të shkurtër Curri ka vlerësuar pasuesin e tij si një intelektual dhe demokrat i vendosur, duke uruar që ta çojë përpara aktivitetin e shoqatës. Luigj Curri ishte në krye të kësaj shoqate që në fillim të viteve ’90 dhe ka zgjedhur pikërisht përvjetorin e ngjarjes për të dhënë dorëheqjen, në emër të kalimit të stafetës tek më të rinjtë.
Ervin Gjini është një figurë e njohur në Shkodër ku ka mbajtur një sërë pozicionesh qoftë si zyrtar publik dhe drejtues politik. Në zgjedhjet e fundit brenda PD-së, ai është zgjedhur kryeter i një grupseksioni, teksa ishte edhe ndër propozimet për kryetar të degës demokrate të Shkodrës.