Kandidati që konkuroi për anëtar të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, Ilir Panda reagon ndaj komenteve që i janë bërë për seancën e pyetjeve me filozofin Përparim Kabo. Në një deklaratë të bërë për emisionin “Debati në Channel One”, ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-nënkryetari i KLD, Ilir Panda, sqaroi përse tha se objekti më i shtrenjtë që kishte blerë ishte një pendë dhe përse nuk kishte makinë. Me anë të këtij sqarimi, Panda i përgjigjet në distancë edhe filozofit të jurisë, Përparim Kabo që e ngacmoi me pyetje.
“Pena për mua është objekti më i shtrenjtë, më i shtrenjti nga ana ideale dhe morale. Ai për mua është një objekt i paçmuar, pavarësisht çmimit të tregut që deklarohet. Fakti që kjo gjë nuk u kuptua prej disave për mua përbën vetëm keqardhje”,- tha Panda.
FJALA E PLOTE
“Një penë ose pendë, bashkë me kallamarin e bojës”, madje kur fillova edhe ta shpjegoja vendin ku e kisha blerë dhe të bëja arsyetimin përse e vlerësoja atë objekt si më të shtrenjtin, personi që pyeste më ndërpreu, duke kaluar menjëherë te pyetja e dytë: “Po sa kushtonte ajo pena me gjithë kallamarin?”. Vendosa t’i them çmimin e tregut, “70 dollarë”. Pyetësi, ndoshta i pakënaqur nga përgjigjet e pyetjes së parë, vazhdoi: “Sa kushton makina juaj?”. Unë iu përgjigja “Nuk kam një të tillë”. Pyetësi tha, “Nuk e dëgjova”. “Nuk e kam një të tillë“, përsërita unë. Pyetje tjetër, “Po me çfarë udhëtoni?”. Përgjigja: “Më pëlqen transporti publik”. Pyetjes që vazhdoi “Po shtëpinë në rrugën “Brigada e VIII-të, sa e keni shitur?”, iu përgjigja se “Kam autorizuar një person tjetër të merrej me atë veprim pasi ishte një operacion i ndërlikuar”. Dhe unë, faktikisht, kisha vetëm ¼ e pronësisë. Në fakt, në dokumentet e mia nuk rezulton ajo adresë. “Brigada e VIII-të” është emri i rrugës pas pallatit ku kam banuar unë dhe një fakt të tillë e di vetëm një person që është interesuar mirë për të bërë pyetjet. Arsyetimi: Përse prezantova penën si objektin më të shtrenjtë që kisha blerë?! E para ishte fjala. Fjala thuhej, kumtohej, shqiptohej. Më pas fjala filloi të shkruhej. Fillimisht në tokë, në rërë ose në gur. Por volumi i dijeve që transmetoheshin ishte shumë i vogël deri sa njeriu shpiku penën me të cilën filloi të shkruante në papiruse dhe, më pas në letër. Dhe kështu pena, e ndihmuar nga boja, ndikoi që njeriu të mendonte më mirë, të fliste më mirë dhe trashëgimia e tij e gjithanshme të transmetohej ndër breza gati plotësisht. Pra, pena ndihmoi fjalën. Dhe kështu, deri sa u shpik shtypshkrimi dhe, më pas, kompjuteri. Për mendimin tim pena përfaqëson një hop shumë të madh cilësor në jetën e njeriut. Unë vetë jam fëmijë i dy mësuesve. Mamaja ime ka qenë mësuese në shkollën fillore dhe me penë u ka mësuar shkrim e këndim qindra e qindra nxënësve. Babai im ka qenë pedagog i gjuhës, letërsisë dhe përkthyes. Me penë e bojë ai ka shkruar mijëra faqe, ndër të tjera dhe një ditar personal për mua që nga dita kur kam lindur dhe deri kur shkova në klasën e parë. Personalisht kam përdorur të njëjtën penë nga klasa e parë deri në të katërtën. Madje edhe kur erdhën stilolapsat në Shqipëri mësuesja nuk na lejonte të shkruanim me ta, duke na shpjeguar se me penë shkruhej më bukur. Prandaj pra, pena për mua është objekti më i shtrenjtë. Më i shtrenjti nga ana ideale dhe morale. Ai për mua është një objekt i paçmuar, pavarësisht çmimit të tregut që deklarohet. Fakti që kjo gjë nuk u kuptua prej disave për mua përbën vetëm keqardhje. Ndoshta ata kanë pasur në mendje vetëm vlerën materiale dhe nuk kanë kuptuar simbolikën e përdorur. Kështu pra. I gjendur përpara një pyetje tendencioze kisha disa alternativa: Të mos përgjigjesha fare; të kërkoja kohë të mendohesha; të jepja një përgjigje sa për të kaluar radhën; të ironizoja ose të kundërsulmoja personin qe pyeste; etj. Meqenëse nuk doja të fyeja asnjë në atë sallë, aty për aty, vendosa të bëj një ironi me veten. Pra një pyetjeje me sens material t’i përgjigjesha me sensin ideal dhe moral. E përsëris. Duke dashur të mos fyeja askënd, unë guxova të bëj një sprovë, një autoironi, duke e menduar atë edhe si një sakrificë, në formën e mbartjes mbi shpinë të lukunisë së keqdashësve, të të painformuarve ose edhe të ndonjë hallexhiu të paditur). Por një sakrificë që vlen, që të bën më të fortë, të pranueshëm dhe të vërtetë. Por, përse vendosa të bëj ironi me veten?! Në balancën e materiales dhe morales vetëm unë e di sa i pasur jam. Disa mund të më konsiderojnë të pasur (materialisht), por kjo është punë e tyre. Unë nuk jam i tillë. Nuk më ka tunduar kurrë materialja. Por, as i varfër nuk jam. Në jetë, unë i qëndroj parimit se “Nuk ka rëndësi sa i pasur je por sa i pasur ndjehesh”. Dhe në këtë kuptim unë ndjehen vërtet i pasur. Përse deklarova se nuk kam makinë? Kjo është një e vërtetë lehtësisht e verifikueshme. Në regjistrin e automjeteve nuk ka një të tillë në emrin tim. As të familjes time. Unë kam në pronësi një apartament dhe një garazh. Meqenëse garazhi im prej disa vitesh ishte bosh, një i njohur, parkon aty makinën e tij. Me atë makinë transportohen, çdo ditë, tre fëmijë të mrekullueshëm në shkollë dhe në aktivitete të tjera. Kur makina është e lirë e përdor edhe unë. Për mua kjo është një marrëdhënie e thjeshtë njerëzore dhe nuk ka asnjë gjë për tu çuditur. Aq më tepër kur pyetja ishte “Sa kushton makina juaj?”. Po çfarë përgjigje të jepja unë kur nuk kam makinë në pronësi?! Për sa i përket deklarimit për përdorimin e transportit publik, e përsëris: “Më pëlqen transporti publik dhe e përdor atë sa herë që kam nevojë dhe mundësi.” Nëse dikujt nuk i pëlqen, kjo nuk është puna ime”,- tha Panda.