Babai i alkoolizuar dhunon vajzën e tij 12-vjeçare duke e goditur me grushta në banesë, arrestohet pas denoncimit të së miturës. Policia e Durrësit bëri të ditur se ka vënë në pranga dje një 44-vjeçar pasi ka dhunuar vajzën e tij të mitur. Sipas të dhënave të Policisë, specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin Fran Gjergji, banues në Durrës, pasi pas një debati familjar në shtëpi, ka goditur me grushta vajzën e tij shtetasen R. Gjergji, 12 vjeçe, e cila ka përfunduar në spital për mjekim.
Kjo e fundit e ka denoncuar rastin e dhunës në Polici, duke sqaruar se është dhunuar barbarisht nga babai i saj, i cili ishte kthyer në shtëpi në gjendje të dehur. Me të marrë dëshminë e të miturës në praninë e një psikologu, Policia ka vënë në pranga babain dhunues, i cili akuzohet për veprën penale të “dhunës në familje”.
Familja Gjergji me orgjinë nga Puka dhe e vendosur prej disa vitesh në qytetin e Durrësit jetojnë në gjendje të vështirë ekonomike. Ndikuar edhe nga papunësia, me sa duket kryefamiljari ka gjetur mbështetjen tek alkooli. Kohët e fundit, sipas dëshmisë së dhënë nga vajza e mitur, ai ishte bërë shumë agresiv në shtëpi dhe vinte dorë mbi të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, për arsye nga më banalet, shkruan Panorama.
“Vendosa ta denoncoj babain, pasi më ka qëlluar disa herë. Këtë radhë më ka dëmtuar duke më qëlluar me grushta në pjesë të ndryshme të trupit. Kam frikë të qëndroj me babain në shtëpi, pasi ai është shumë i dhunshëm dhe qëllon pa mëshirë dhe pa arsye vëllezërit dhe motrat e mia, si dhe nënën. Kohët e fundit ai kthehet në shtëpi në gjendje të dehur dhe zihet me ne pa ndonjë arsye. Dua që ai të arrestohet, pasi kemi frikë të qëndrojmë me atë në shtëpi”, është shprehur ndër të tjera vajza gjatë deklarimit në Polici mbi dhunën e ushtruar nga babai i saj, i cili e bëri për spital pasi e goditi disa herë me grushte në pjesë të ndryshme të trupit dhe në fytyrë.
Nga ana e tij, babai dhunues është justifikuar me faktin se ka qenë në gjendje të dehur ndërkohë që ka qëlluar vajzën 12-vjeçare. Mësohet se e mitura është shprehur se i ati i kishte kërkuar edhe ujë, por ajo kishte refuzuar t’i urdhërohej në gjendjen që ishte, shkruan Panorama.