Ditën e sotme, rreth 30 mijë maturantë në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen provimit të parë të Maturës Shtetërore, ku do të testohen për gjuhën e huaj.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit këtë vit provimeve të maturës do t’i nënshtrohen rreth 170 nxënës me aftësi ndryshe, për të cilët janë hartuar teste të veçanta.
Provimi i dytë për maturantët do të jetë ai i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë më 7 qershor dhe provimi i Matematikës më 13 qershor. Lënda me zgjedhje është dhe provimi i fundit, i cili do zhvillohet më datë 19 qershor.
Ndërkohë, siç është normale, nuk ka munguar as urimi i drejtores së ZVAP Shkodër, Brisela Truma Kadija, përmes një publikimi në faqen e saj zyrtare në Facebook:
Të dashur maturantë,
Në këto momente mbase po bëni përsëritjet e fundit për provimin tuaj të parë, por do të doja t’ ju jepja një mesazh në startin e etapës së fundit të rrugëtimit tuaj shumë të rëndësishëm të nxënies por edhe edukimit.
Fillimisht, dua t’ ju kujtoj se suksesin, jo vetëm për këto provime por edhe në vijimësinë e jetës, e keni vetë në dorë.
Keni formimin, njohuritë e aftësitë e duhura për të përmbyllur me sukses provimet tuaja.
Çelësi i suksesit tuaj, jo vetëm për këto ditë e javë provimesh por edhe gjatë viteve të gjimnazit, është përgatitja juaj, përkushtimi e kujdesi i prindërve dhe mësuesve tuaj.
Gjatë provimit, përqendrohuni, lexoni me kujdes secilën pyetje dhe jepini kohën e duhur vetes për të përzgjedhur përgjigjen e saktë. E keni përgatitjen e duhur, bagazhin e akumuluar, për ta gjetur atë.
Mos u ngutni por as mos shpenzoni shumë kohë në ndonjë pyetje. Mund ti riktheheni në një moment tjetër, pasi të jeni përgjigjur saktë aty ku ndjeheni të sigurtë.
Në mbyllje të këtyre pak rreshtave që synojnë t’ ju motivojnë e inkurajojnë më shumë në nisje të provimeve të Maturës Shtetërore, ju dëshiroj suksese të gjithëve! Jam e sigurtë se ashtu si deri më sot, do të na bëni krenarë ne si mësues por edhe familjet e Shkodrën tonë.
Vetëbesimi, pozitiviteti që edhe si moshë e rrezatoni, janë premisa të mira për të arritur objektivat tuaja.
Ju priftë e mbara sot e në çdo ditë të jetës tuaj! Suksese të gjithë maturantëve!