“Nuk e shoh të ardhmen këtu, nuk shoh vlerësimin e degës së infermierisë këtu!”
Ishte i qartë kur zgjodhi të studionte për infermieri. Denis Syla profesionin nuk do ta ushtrojë në Shkodër, por jashtë vendit. Paralele me ndjekjen e studimeve në Universitetin e Shkodrës nisi dhe kursin për të mësuar gjuhën gjermane.
“Kur vendosa të studioj ishin 10 preferenca. Ndër to ishte dhe infermieria. Isha i sigurt që do më dilte si degë. Ishin disa arsye, tregu i punës, ishte preferenca ime, dëshira e prindërve të mi dhe e katërta që ishte pika më e fortë të largohem nga ky vend. Që tani kam nisur kursin e gjermanishtes për tu larguar.”
Student i vitit të tretë thotë se pagesa për të punuar si infermier këtu është shumë e ulët. E njëjtë ose dhe më e ulët se e operatorëve në call center, ku vetë ai po punon për të përballuar studimet.
Një operator që flet gjithë ditën për të reklamuar produkte krahasohet me një infermier që ka rolin kryesor në jetën e një pacienti. Kanë të njëjtën pagë. Mos merr më shumë një operator i thjeshtë në një call-center sesa një infermier.”
Ka kontaktuar dhe me një agjenci punësimi.
“Kam rezultate të shkëlqyera mesatarja ime është mbi 9. Na kanë ardhur agjenci për punësim në gjermani. Na kanë propozuar vende pune me pagë mbi 3 mijë euro. S’është e lehtë të largohesh nga vendi ku ke lindur, po rrethanat të detyrojnë për një jetë më të mirë.”
Vitet e fundit degët e shkencave teknike mjekësore janë më të preferuarat e të rinjve. Shefi i Departamentit të Infermierisë Emiljano Pjetri, në Universitetin e Shkodrës thotë se me dhjetëra student kanë dëshirë të lënë vendin.
“Çdo vit janë 20% e studenteve, që zgjedhin gjuhën gjermane, që ju shërben të kenë një lëvizje më të lehtë.”
Sipas Pjetrit nuk janë të paktë dhe studentët që lënë vitin akademik në mes për t’i vazhduar studimet jashtë vendit.
“Ka një numër të lartë studentësh, që heqin programet e studimit. Nga 2018 janë 300-400 tërheqje të programeve të studimit.”
Mësuesi i kurseve të gjermanishtes, Fredi Baci tregon se interesi i shkodranëve, që po ndjekin kursin e gjermanishtes të të gjitha niveleve është gjithnjë e në rritje.
“Shumica janë për nivelin e bazik për bashkim familjar. Po shtohen dhe ata që vijnë si familje. grupi tjetër janë dhe ata që duan nivel të lartë gjuhësor, infermierët apo dhe mjekët e edukatorët. E kanë si trampolinë për në Gjermani.”
Në Shkodër rekrutimet për punësime të infermierëve dhe stafeve të tjera teknike mjekësore janë të vazhdueshme.
Largimet janë periodike. 60 është numri i infermierëve të larguar në 3 vitet e fundit nga Spitali Rajonal i Shkodrës.
Ndërsa kërkesat për regjistrimet në programin e studimit për infermieri çdo vit rriten. Aktualisht në degët e fakultetit të shkencave teknike mjekësore, në Universitetin e Shkodrës marrin dije 800 studentë. /Nga Simon SHKRELI, Abcnews.al/