Këshilli Bashkiak i Malësisë së Madhe nuk ka miratuar buxhetin për vitin 2024. Në mbledhjen e sotme, kur pritej shqyrtimi dhe miratimi i dokumentit më të rëndësishëm për vitin 2023 apo 2024, nuk ka qenë e mundur të sigurohen 16 vota nga 31 anëtarë të këshillit bashkiak.
Këshilltarë të opozitës, kanë tëhequr vëmendjen se mbledhja e Këshillit për buxhetin është e vonuar, pasi do të duhej të ishte realizuar brenda vitit 2023. Po ashtu, ata kanë bërë me dije se projekt- buxheti u ka shkuar vetëm të premten, pa respektuar as afatin minimal ligjor prej 5 ditësh që detyron ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.
Anton Kokaj i PD- së ka kërkuar që ti jepej kohë, të paktën 5 ditë këshilltarëve, për tu njohur me projekt- buxhetin, duke kujtuar se as dëgjesat publike me përjashtim të Koplikut, kanë qenë fiktive në të gjitha njësitë e tjera administrative.
LEXONI EDHE: Këshilli Bashkiak rrëzoi buxhetin për 2024- in, reagon zëvendëskryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe…
Gjithsesi, Këshilli Bashkiak është futur në procesin e votimit ku në fund, nuk është arritur kuorumi i nevojshëm prej 16 votash: 14 pro, 12 kundër dhe 1 abstenim. Tkurrja e votave ka ardhur nga PSD- ja, e cila prej kohësh është në opozitë me administratën Marinaj në Malësi të Madhe. PS dhe PSD kanë së bashku 14 vota, ndërsa sot as ato nuk kanë qenë të unifikuara.
Në ditët në vijim, pritet të thirret një tjetër mbledhje e Këshillit Bashkiak Malësi e Madhe për të shqyrtuar dhe miratuar buxhetin për vitin 2024.