Ndonëse në Paketën Fiskale 2018 nuk përfshihet rritje e akcizës për cigaret normale, por vetëm për cigarillot, tregtarët e duhanit në vend po ndjekin këtë fund viti traditën e tyre të rritjes paraprake të çmimeve të pakicës. Çmimet e paketave të cigareve u rriten masivisht këtë javë me rreth 15 për qind. Të gjitha pikat e shitjes me pakicë po i shesin paketat me 30-40 lekë më shtrenjtë duke lajmëruar se një valë e re rritjeje do të vijojë edhe pas vitit të ri.
Tregtarët e shumicës pohojnë se nuk i kanë ndryshuar çmimet dhe kjo rritje po vjen si spekulim nga pakica. Ndërkohë që, sipas shpjegimeve që japin tregtarët e pakicës, shkaku kryesor për rritjen është aksioni i tatimorëve. Aksioni është përqendruar në subjektet e tregtisë me shumicë dhe pakicë pasi, sipas analizës së riskut, këta janë sektorët me evazorë në vend. Tregtaret pohojnë se kostot e formalizimit po reflektohen në çmime, pasi, përveç cigareve, çmimet po rriten këto ditët e fundit edhe për disa artikuj ushqimorë e industrialë.
Këtë javë një paketë “Marlboro” u shit me 330 lekë, nga 320 që ishte javën e kaluar. Gjithashtu një paketë “Camel” kushton 40 lekë më shtrenjtë. Kurse çmimet e paketave “Eva” dhe “Merit” janë rritur përkatësisht me 20 dhe 40 lekë. Paketat “Philip Morris” kushtojnë 70 lekë më shtrenjtë dhe “LM” 30 lekë më shumë.
Edhe pse qeveria nuk e ka ndryshuar akcizën për cigaret e zakonshme, shihet se tregu nuk po i shmanget spekulimit.