Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi në një reagim për situatën e rëndë të krijuar sot në Rrugën e Kombit, në protestën e paralajmëruar të qytetarëve kuksianë dhe kosovarë për tarifën e vendour për automjetet që kalojnë aty, që degjeneroi në dhunë, thotë se kjo shfaqje është “shenjë e qartë e fillimit të fundit për një qeveri që ka humbur besimin dhe mbështetjen, që po rrënon çdo ditë familjet shqiptare dhe që ndoshta sot mund të kuptojë që revolta ka qenë dhe mbetet fundi i çdo regjimi që sundon me dorën e krimit dhe korrupsionit”.
REAGIMI I PLOTË
Sot qytetarët e Kukësit dëshmuan qartas se fatet e një kombi nuk mund të jenë kurrsesi pjesë e lojërave perverse të një kryeministri të papërgjegjshëm.
Ata që kanë humbur besimin te drejtimi i qeverisë, tek ekonomia që po shkatërrohet sepse Edi Rama do të kënaqë orekset e oligarkëve, sot janë shumica dhe me të fortë se kurrë.
Revolta e tyre në Kukës është shenjë e qartë e fillimit të fundit për një qeveri që ka humbur besimin dhe mbështetjen, që po rrënon çdo ditë familjet shqiptare dhe që ndoshta sot mund të kuptojë që revolta ka qenë dhe mbetet fundi i çdo regjimi që sundon me dorën e krimit dhe korrupsionit.