“Rruga e Thethit hapet në fundjavë”, ky ishte premtimi i Prefektes së Qarkut Shkodër Majlinda Angoni në Facebook me 19 maj 2021, ora 11.23 PD sipas Facebook. Ishte një postim mjaft i gjatë, madje duke dhënë detaje për punën që po bëhej. Po ashtu, duhet thënë se përcaktimi i kohës se kur do të hapej kjo rrugë drejt pikës turistike, ishte mjaft i guximshëm.
Vështirësitë për hapjen dhe mbajtjen të hapur të kësaj rruge, janë të shumta e të ditura. Trashësia e borës në disa pjesë të rrugës, arrin edhe 6 metër, duke vështirësuar punën e mjeteve të rënda. Në disa raste, aty ku rruga është hapur, ka patur sërish bllokime nga masivet e borës që rrëshqisnin.
Po pse duhej caktuar një afat, një datë, pa qenë të sigurtë? Po sikur pronarët e bujtinave të kenë ftuar klientët e tyre të nisen e të vijnë në Theth sepse normalisht, fjalës së Prefektit i duhet zënë besë? A mos vallë i duhej plotësuar dëshira ministrit të Turizmit Klosi, i cili e deklaronte të hapur rrugën nga një studio televizive, teksa gazetarët e Shkodrës vetëm disa orë më parë treguan të kundërtën në mes maleve me borë? A mos vallë ishte planifikuar ndonjë tur apo tubim për turizmin nga “i madhi” fare?
Askush nuk e vë në dyshim dëshirën e Prefektes Angoni, ndoshta edhe të ministrit Klosi që kjo rrugë të hapet një orë e më parë. Por në këtë vend premtimet, sidomos ato publike e të pambajtura, nuk lënë aspak shije të mirë. Megjithatë, përësri ka shpresë. Pas asaj që kaloi, kalendari tregon se ka një fundjavë tjetër. Edhe pas kësaj, vjen një tjetër. E dikur, nëse nuk “e bën robi”, është “dora e Zotit” dhe rritja e temperaturave që mund të zhbllokojë rrugën e Thethit. /Sokol N. SOKOLI/