Pa kaluar tre vite nga ndryshimi i fundit, RTSH ka ndryshuar sërish simbolin e identifikimit. Në të gjitha kanalet e paketës digjitale RTSH, është shfaqur një logo e re, në ngjyrë të bardhë (jo version xham), me mbishkrimin RTSH që tejshpon sfondin e bardhë. Sipas përshkrimit të bërë në Facebook, katrorët e mbivendosur japin konceptin e dritares. Janë në fakt disa shpjegime, të cilat vertetojnë se logoja që u prezantua me bujë në ditët e fundit të vitit 2017, ishte e gabuar, madje e dështuar konceptualisht e grafikisht.
Vetë logoja e ndryshuar në 2017, u tkurr duke përfunduar në dy katrorë të vendosur diagonal, kuq e zi, dhe me RTSH të shkruajtur, të cilën për ta lexuar duhej mikroskop.
Logoja që u prezantua sot, konceptualisht dhe grafkisht nuk është shpikje, Është përshtatje me modelet e televizioneve publike në Europë por edhe mjaft nga ato komerciale të njohura. RTSH- Televizioni Publik Shqiptar, është aset i të gjithë shqiptarëve, brenda e jashtë kufijve. 12 apo 15 milion shqiptarë, mund të kenë po kaq ide për simbolin identifikues, logon e tij. Nuk është aspak çudi që me këtë drejtor e Këshill Drejtues, me një drejtor apo këshill tjetër, të lind oreksi për ta ndryshuar sërish.
E për ti prerë rrugën, ka një mënyrë shumë të thjeshtë. RTSH mund të shpall një konkurs për logon e tij. Përzgjedhjen ta bëjë një juri profesionale, mundësisht e huaj. Logoja fituese të vendoset në përdorim, duke theksuar edhe pamundësimin në maksimum të ndryshimit të logos. Ndoshta, edhe duke e lënë në diskrecionin e Kuvendit.
Përndryshe, nuk është çudi të nisin bastet: Sa kohë do të qëndrojë kjo logo, kur mund të hiqet dhe si do të jetë forma? Një televizion privat, komercial, mund ta ndryshojë logon sa herë ti teket, duke njoftuar AMA- n. Për RTSH është e palejueshme, sepse është dhe duhet të jetë i të gjithë shqiptarëve! /Shënim i ShkodraWeb Media/