Trajneri i Teutës, Edi Martini, u shfaq i keqardhur, pas disfatës 1-2 që skuadra e tij pësoi në frymën e fundit ndaj Vllaznisë. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, tekniku shkodran i skuadrës durrsake, ndër të tjera u shpreh:
“Më vjen keq mënyra si e humbëm ndeshjen. Pjesa e parë shumë e mirë, për Vllazninë, e dyta për ne. Në presion, panik, ia dhuruam kornen kundërshtarit. Janë gjera të pafalshme. Më vjen keq, për djemtë dhe pikët.
Më mbeti peng, rasti kur Nasr goditi shtyllën. Duhet më shumë etje për të shkuar dhe për të shënuar gol.
Unë ndërrova sulmuesët kokë më kokë. Nuk hoqa mesfushorë ose mbrojtës për të kaluar në aventurë. Pjesa e dytë filloi shumë mirë. Duhet më tepër kujdes. Një pikë nuk do të ishte keq, do të ishte rezultati më i saktë. Kur nuk shënon, humbet 2-3 raste dhe dënohesh.
Mund të luajmë edhe me 4 në mbrojtje. Kemi qenë stabël në mbrojtje me 3, por pësojmë për çdo ndeshje, kemi pësuar 10 gola në 5 ndeshje. Sot nuk ishte çështje rreshtime, sot ishte fati kundër, duhet të ishim më të qetë. Do ta shikoj edhe ndeshjen më i qetë.
Kisha alternativë futbollistin anglez, edhe mund ta aktivizoja sot, por kisha nevojë për kreativitet, Kruja dhe Kotobelli luajnë mirë me topin. Nuk e kisha frikë sulmin e Vllaznisë në ato momente.
Në pjesën e parë kërkuam të bënim lojën tonë, edhe Preknicaj edhe Peposhi, nuk funksionuan sipër. Bëmë gabime, sepse ishim nën presion për ta fituar ndeshjen. Vllaznia ishte shumë e fortë në topin e dytë, ato gjëra i korrigjuam në pjesën e dytë. Rezultati bën që problemet të hapen më tepër. Mendoj se sot luajtëm më mirë se në Korçë. Humbja na bën të reflektojmë. Goli i parë është pakujdesi e jona. Edhe i dyti erdhi nga një korne e dhuruar.
Kërkojmë që të luajmë topin nga krahët, dy qendrat e Vllaznisë janë të avashtë si lojtarë, e kishim përgatitur stërvitjen që t’i sulmonin nga qendra. Sikur t’i kishim shënuar ato golat, në këto momente do të flisnim ndryshe, më vjen keq, sepse nuk e meritonin të humbisnim”, u shpreh Martini për emisionin “Super Gol” në RTSH.