Kryedemokrati Lulzim Basha, ka ndarë në rrjete sociale një pasazh të shkëputur nga intervista me drejtorin e përgjithshëm të informacionit dhe programacionit në “News 24”, Robert Rakipllarin, e cila u publikua një ditë më parë.
Në videon e publikuar, Basha tregon se para se të pezullonte Berishën, ai ishte kandidati më i mirë si kryeministër dhe thekson se vendimet e marra janë në të mirë të Partisë Demokratike dhe të vendit. Sakaq, Basha nënvizon se interesat personale të askujt nuk mund të bunkerizojnë PD, duke shtuar se lideri historik Sali Berisha, nuk e ka betejën me të, por me SHBA për interesa personale.
Postimi i Lulzim Bashës:
Qëndrimi im si kryetar i Partisë Demokratike ka qenë dhe do të jetë në interesin më të mirë të demokratëve dhe në interes të së nesërmes së Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë . Interesat personale të askujt nuk mund ta bunkerizojnë Partinë Demokratike. Sali Berisha nuk e ka luftën me mua, nuk po e bën luftën për asnjë demokrat, luftën e ka me SHBA, luftën po e bën për interesat e tij personale.