Ish-kryeministri Sali Berisha ka thënë gjatë takimit online me demokratët shqiptarë në Florida të SHBA-ve se mbledhja e Këshillit Kombëtar është e paligjshme.
Ai thotë se nuk është mbledhur 1/3 e nevojshme për këtë këshill, si dhe shton se revolucioni i filluar për rivendosjen e vlerave konservatore nuk ka të ndalur deri në çmontimin e narko-shtetit.
“Beteja që ne zhvillojmë e ka të nevojshme bashkëpunimin me forcat konservatore, por në radhë të parë me ato të SHBA. De facto, këtu pluralizmi politik u fut në agoni. Ne jemi të inkurajuar gjithnjë e më shumë ne përpiqemi të bashkëpunojmë me Partinë Republikane të SHBA dhe në kuadrin e bashkimit demokrat ndërkombëtar që udhëhiqet nga Partia Republikane.
I jam shumë mirënjohës personaliteteve të shquara të kësaj partie. Kohët e fundit ambasadori Richard Grenell, ka dhënë intervista në të cilat thotë se për kohën që unë kam qenë drejtor në detyrë i shërbimeve inteligjente amerikane, nuk kam parë asnjë fakt apo dokument për korrupsionin e Sali Berishës. Ai e ka quajtur këtë si një armë politike ndaj kundërshtarëve të Edi Ramës në llogari të Geroge Soros. Ne nuk përballemi vetëm me deputetin Basha që nuk respekton asnjë normë, parim ligj, përkundrazi i marrë peng ai vepron sipas urdhrave që merr.
Sot, ai i shkarkuar komplet, thërret Këshillin Kombëtar në të cilin nuk paraqiten as 1/3 e anëtarëve dhe mbush sallën me punonjës të godinës apo individë të tjerë duke mashtruar publikisht, por pavarësisht këtyre, ju garantoj se ky revolucion i filluar për rivendosjen e vlerave konservatore nuk ka të ndalur. Ky revolucion siç çmontoi diktaturën do të çmontojë narko-shtetin shqiptar”, tha Berisha.