Rrëfimin e tij për gazetën “Panorama”, ish-anëtari i Byrosë Politike e mbyll me disa kujtime nga vitet që kaloi në burg gjatë qeverisjes së parë të PD-së. Muho Asllani sjell detaje nga mënyra se si trajtohej në burgun e Bënçës, ish-kryeministri Fatos Nano, favoret që i bëheshin, por dhe trajtimi strikt ndaj ish-anëtarëve të Byrosë Politike të dënuar në atë kohë.
I pyetur se si jane trajtuar drejtuesit e partise kur u burgosen ne vitin 1993, Asllani kujton rastin e Hekuran Isait.
“Edhe pse në krye të burgjeve ishin vendosur njerëz që vinin nga klasa që ne në komunizëm i kishim luftuar dhe dënuar, ata na kanë trajtuar pa torturë, por vetëm në zbatim të rregullores së burgut. Kot janë ankuar shokët e mi të Byrosë se kanë vuajtur. Një herë në Burgun 313, Hekuran Isai bërtet “vdiqa, po më dhemb barku, më thërrisni oficerin e rojes të vijë këtu”. Vjen oficeri dhe i thotë,- çfarë ke? I thotë Hekurani,-po më plas barku, dua të shkoj në banjë. Ai i thotë se, sipas rregullores, duhet të dalësh një herë në 8 orë, rregulloren e ke shkruar vetë dhe ne atë po zbatojmë. Bëjë në qese urinën. Po pse e dija unë se do vija vetë në birucë,- i thotë Hekurani”.