Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër është “rrëzuar” në votim në mbledhjen e fundit të Senatit Akademik të këtij institucioni. Pavarësisht se ka një heshtje totale për atë që është diskutuar, nga pjesëmarrës në këtë mbledhje ShkodraWeb ka mësuar se në një nga pikat, rektori Tonin Gjuraj nuk ka mundur të marrë mbështetjen e nevojshme.
Bëhet fjalë për një çeshtje sensitive për njërin nga anëtarët e Senatit Akademik, i cili bashkë me disa pedagogë të tjerë, është marrë tashmë i pandehur nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër. Rektori Gjuraj, bazuar në ligj, akte nënligjore dhe vetë Statutin e UNISHK, ka kërkuar nga Senati Akademik pezullimin e përkohshëm të pedagogut, anëtar i organit drejtues kolegjial më të rëndësishëm të këtij IAL- je. Kjo masë, deri sa Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, të dalë me vendim përfundimtar.
Siç është bërë tashmë publike në disa media, pedagogu- anëtar i Senatit Akademik të UNISHK, është i pandehur për veprën penale të korrupsionit pasiv, që përveç pasojave penale, përbën shkelje të rregullave të etikës duke dëmtuar rëndë imazhin e institucionit dhe integritetin që duhet të karakterizojë personelin e UNISHK, ka mbështetur propozimin e tij rektori Gjuraj.
Drejtuesi i UNISHK ka kërkuar që propozimi i tij, nëse duhej të kalohej në votim të fshehtë në Senatin Akademik ose jo, është rrëzuar. Pro propozimit të Gjuraj ishin 9 anëtarë të Senatit Akademik, tre ishin kundër (mes të cilëve vetë pedagogu i pandehur- anëtar i Senatit Akademik si dhe zëvendësrektorja e cila u konfirmua në detyrë nga Gjuraj me marrjen e detyrës) ndërsa 7 të tjerë abstenuan. Propozimi i Gjuraj u rrëzua, duke mos mundur të marrë 50% të votave pro të antarëve të Senatit Akademik.
Edhe pse kishte premtuar transparencë dhe hapje me publikun, kjo deri tani duket gjysmake me media që ftohen vetëm për pak minuta në fillim, siç ishte rasti i mbledhjes së fundit të Senatit Akademik. Edhe lidhur me mbledhjen e fundit, deri tani rektori Gjuraj nuk ka reaguar akoma për një çeshtje të rëndësishme. Mbase në ditët në vijim rektori Gjuraj apo Zyra e Medias e UNISHK mund të japë më shumë informacion lidhur me këtë çeshtje apo edhe përmbushjen e platformës me të cilën ai u votua si rektor i Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.
Rektori Tonin Gjuraj ndoshta ka nevojë për më shumë kohë për të vënë në zbatim prioritetet e tij, mes të cilave rikthimin e ligjshmërisë në këtë institucion por ai ka detyrim transparencën e plotë dhe jo gjysmake me mediat e përmes tyre, me qytetarët, jo vetëm të Shkodrës sepse universiteti është i të gjithë Shqipërisë.