Shkruan në Facebook moderatorja e njohur Sonila Meço: “Të dashur miq, të njohur e të panjohur, që u ndodh të lexoni këtë status e që ndoshta jeta u ka çuar të paktën një herë të merrni këshilla e mjekim nga mjeku i njohur neurolog, Doktor i Shkencave Mjekësore Drini Dobi ju kërkoj pak vëmendje:
Dr. Dobi është nisur për një kurim të specializuar jashtë vendit, pas ndërlikimeve serioze të gjendjes së tij nga covid-19. Pas një përpjekjeje të jashtëzakonshme nga kolegë e miq u arrit të mblidhet një shumë që garantoi transportin dhe qëndrimin disa ditor në spital. Ende në kushte të vështira shëndetësore, por me shpresën e inkurajuar edhe nga mjekët italianë, Dr. Drini mund t’ja dalë. Por duhen javë trajtimi e qëndrimi në spital për të gëzuar plotësisht atë ditë.
Ndaj një grup kolegësh, nga spitalet, klinikat dhe Urdhëri i Mjekut të Tiranës, miq e të njohur, dashamirës e njerëz zemërbardhë janë bërë bashkë për të siguruar mbulimin financiar të këtij trajtimi të domosdoshëm për t’i garantuar jetën mjekut të rrallë, një aseti kombëtar për nga shërbimi ndaj shëndetit publik, Dr. Drini Dobit.
Ngjan paradoksal ky postim në kushtet e një ndihme që duhej të qe e garantuar për jetët, që shpëtojnë jetë, por këto janë kushtet, të imponuara në një mënyrë a tjetër në një vend krizash të njëpasnjëshme.
Këto janë të dhënat e numrit të llogarisë, vënë në dispozicion për të risjellë mes nesh, në sallat e neurologjisë duke kontribuuar sërish për ne mjekun e të gjithëve, Drinin tonë të shtrenjtë.
Falënderim zemre për këdo, që edhe në pamundësi financiare, një lutje ia dedikon Dr. Dobit!”, përfundon shënimin e saj moderatorja e njohur Sonila Meço.