Nga Klodian ZHIVANI
Strehohen në gërmadhat e një ndërtese të vjetër dhe e vetmja pasuri që kanë është njëra – tjetra. Nuk kanë asgjë! Nuk kanë bukë, nuk ilaçe, nuk kanë të afërm, nuk kanë strehë, nuk kanë ngrohje, nuk kanë as shtrat, as rroba. Kanë vetëm shpatullat e njëra – tjetrës ku mbështeten për të tharë lotët.
Minja 80 vjeçe dhe Dushja 70 vjeçe, nuk u martuan kurrë për shkak të problemeve të shëndetit mendor dhe në këto kushte, motra e tretë Zykja vendosi të sakrifikonte veten për to. Nuk u largua kurrë nga motrat por sot, edhe ajo është e sëmurë shumë rëndë. Vuan nga një sëmundje që i shkatërron kockat dhe muskujt. Zykja, që ishte më e forta, sot nuk qëndron dot në këmbë më shumë se 10 minuta. Ilaçet i kushtojnë rreth 1 milion lekë në muaj, prandaj ajo nuk i merr dot.
Sot, janë dy motrat e tjera, të cilat çdo ditë dalin dhe kërkojnë diçka për tu ushqyer, në rrugë, në mbeturina dhe në varrezat e fshatit. Sa mjerim e sa shumë dhimbje.
Besojnë se ka njerëz të mirë në këtë botë dhe lutja e parë që kanë është që dikush ti ndërtojë një dhomë ku të fusin kokën. Lutja e dytë, nuk është për ne, ia drejtojnë Zotit që t’i marrë të trija njëherësh ! Të mos ikin nga kjo botë, me pengun se kush do të kujdeset për njerën apo tjetrën motër.
Edhe unë kam një lutje. Shkon për të gjithë!
E nisi nga shokët, miqt, kolegët, shoqatat, biznesmenët, drejtorët e drejtoreshat e institucioneve të Shkodrës, kryetarët e bashkive, deputetët që këto ditë po hapin thesin:
Ju lutem, ti ndihmojmë! Kërkojnë shumë pak. Për shkak të nevojave shëndetësore që ka motra e vogël, Zykja ka një telefon celular, që ia japin komshinjtë dhe mund ta kontaktoni: 0696144051!