Tre shtetas shqiptarë dhe një serb janë vënë në pranga nga policia italiane gjatë një operacioni antidrogë. Karabinierët në Recovato të Castelfranco-s kanë hyrë për kontroll në banesën e tyre mbrëmjen e kaluar rreth orës 22:00, dhe kanë gjetur si prova materiale, 2 qese me marijuanë ku secila peshonte nga një kilogram, dhe 5 gramë kokainë.
Sakaq, policia italiane ka arrestuar 4 personat, si dhe ka sekuestruar një makinë tip “Porsche” dhe një tip “Audi” për shkak se të arrestuarit nuk e justifikonin se si i kishin blerë ato. Sipas policisë, drejtuesi i bandës ishte një 26-vjeçar shqiptar të cilit ju gjet një kartë identiteti rumune false.
Mbi të pritet të rëndojë edhe akuza për falsifikim dokumentesh, ndërsa për të arrestuarit e tjerë pritet vetëm akuza për mbajtje të një sasie lëndësh narkotike. Karabinierët sekuestruan si prova disa para për t’i verifikuar nëse janë të falsifikuara. Serbi i arrestuar është i moshës 22-vjeçare ndërsa dy shqiptarët e tjerë janë të moshës 41 vjeç dhe 23 vjeç.