Ministrja e Arsimit, Besa Shahini bëri të ditur sot se shkollës private, e cila pezulloi mësimin për dy javë për shkak të frikës nga koronavirusi, do t’i hiqet licenca. Në një postim në Facebook, Shahini bëri të ditur se shkollat mbyllen vetëm me urdhër të ministrit, ndërkohë që për shkollën private, do të ketë sanksione për shkak se ka përhapur panik. Në mesazhin e saj, Besa Shahini ka bërë të ditur se nxënësit e kësaj shkolle private do të transferohen në një shkollë tjetër, ndërsa që udhëheqësit e këtij institucioni arsimor do të ndiqen penalisht nga organet e drejtësisë.
“Shkolla mbyllet jashtë planit të vitit shkollor VETËM me urdhër ministri. Udhëheqësit e një shkolle private kishin vendosur të mos respektonin këtë dhe e kanë mbyllur shkollën për 2 javë. Në kushte të kësaj paligjshmërie, jemi të detyruar që shkollës t’ia heqim licencën.
Nxënësit do të transferohen në një shkollë tjetër. Ndërsa udhëheqësit e shkollës që përhapin panik duke mbyllur shkollën në mënyrë të jashtëligjshme, për gjoja parandalim të një situate virale e cila NUK ekziston në Shqipëri, duhet të ndiqen nga organet e drejtësisë”, theksoi Shahini.