Prej disa ditësh në rrjetet sociale, po diskutohet gjërësisht mbi vajzën shkodrane me emrin Elsa, e cila për shkak të mbulesës së kokës apo hixhabit, nuk është pranuar të punësohet në një rrjet supermarketesh.
Ka patur reagime të shumta në mbështetje të vajzës shkodrane, ndërsa nuk kanë munguar as zërat kundër, duke e cilësuar një të drejtë të pronarit të supermarketeve vendosjen e kritereve për të punësuarit.
Ndërkohë, ka qenë vetë Elsa ka reaguar, vajza shkodrane në qendër të këtij debati, që për hir të realitetit nuk është i ri as në Shqipëri e as në Eruopë. Më poshtë, mund të lexoni qendrimin e saj.
“Selam Alejkum të gjithëve.
Besoj që një pjesë e mirë e juaja më njihni nga kauza që kam iniciuar nga refuzimi që më është bërë për vendin e punës, shkak i mbulesës.
Për sa i përket ngjarjes time dua të sqaroj si mëposhtë: Së pari, nisur nga eksperienca të ngjashme të ndodhura edhe besimtarë/eve të tjerë, (në subjekte të ndryshme, private ose institucione që nuk kanë guxuar ta bëjnë publike), unë zgjodha t’a publikoj duke ditur vuajtjen që shkakton diskriminimi tek besimtarë/et.
Së dyti, qëllimi im kryesor ka qenë publikimi i ngjarjes si fenomen për ndërgjegjësim. Ndërsa lidhur me thirrjet për bojkotimin e kompanisë, nuk jam shprehur aspak dhe nuk ishte ky qëllimi real, pasi dëshiroj të mendoj që ky ishte një gabim njerzor dhe jo qëndrimi zyrtar i kompanisë. Bojkoti ka ardhë si reagim i qytetarëve, të cilët janë sensibilizuar me ngjarjen. Kështu që nuk mund të gjykoj sjelljen e tyre.
Së treti, shpresoj që publikimi im të ndërgjegjësojë institucione shtetërore dhe private që të mos përsëriten ngjarje të tilla diskriminuese, dhe i bëj thirrje çdokujt që përjeton një ngjarje të tillë të guxojë të reagojë bazuar në të drejtën njerëzore.
Askush nuk mund të na privojë nga kjo e drejtë hyjnore dhe universale, sepse shamia nuk ka çmim!”, shkruan Elsa.