Nga sot, edhe Shkodra zyrtarisht do të ketë një përfaqësues në qeverinë “Rama 3” që ka marrë një mandat për të qeverisur për 4 vjet vendin. 32 vjeçarja Edona Bilali, është ulur në karrigen e Ministrit të Shtetit për Mbështetjen e Sipërmarrjes. Në fakt, nuk është një ministri e mirëfilltë dhe më shumë do të ketë rol koordinues, inicues dhe propozues në fushën e veprimit që i është caktuar. Por gjithsesi, është antar kabineti, merr pjesë në mbledhje qeverie, mund të propozojë, diskutojë dhe…kundërshtojë, edhe pse duket e vështirë me një kryeministër si Edi Rama. Në kuptimin e plotfuqishmërisë absolute politike në PS, Kuvend e qeveri.
Ata që kanë qenë të vemendshëm, mund të kenë konstatuar një detaj në paraqitjen e ministre- deputetes së Shkodrës Edona Bilali në ceremonin e betimit tek Presidenti Meta por edhe më pas. Maskat e detyrueshme në një ambjent të brendshëm për shkak të Covid- 19, në fytyrën e ministres Bilali, përcillnin edhe një mesazh që lidhet me Shkodrën. Hashtagu #EdonaShkodren nisi pse jo edhe si një gjetje elektorale, një lojë fjalësh me vetë emrin e kandidates për deputete të PS- së në zgjedhjet e 25 prillit. Në fakt, nuk është se solli shumë fat, pasi numri i deputetëve u tkurr në vetëm 3, duke lënë rrugës një mandat krahasuar me 2017- ën.
Interesant është faksti se të njëtin hashtag Bilali vazhdonte të shpërndante edhe pas zgjedhjeve, edhe në postime të ndryshme pas takimeve ose para tyre me njerëz të zakonshëm, investitorë, bisnesmenë, drejtues të qeverisjes vendore, përfaqësues të qeverisë në qarkun e Shkodrës etj. Pra, ajo kërkonta ta kthente nga një hashtag me synim kryesor fushate, në një slogan të mundshëm qpo udhërrëfyes edhe në detyrat që do të mund të merrte pas sigurimit të mandatit të deputetit.
Sot, pas ceremonisë në Presidencë, ministrja Edona Bilali, ka publikuar edhe një status të shkurtë, me pak rreshta. “Ceremonia e betimit si Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes tek Presidenti! Çfarë nderi e privilegji por edhe përgjegjësi e borxh. Nder për të shërbyer në 🇦🇱 , privilegj për të qënë përfaqësuese e qeverisë, përgjegjësi për të qënë në një gjatësi vale me çdo sipërmarrje të re dhe ekzistuese vendase dhe te huaja, borxh ndaj Kryeministrit për besimin, borxh që do filloj ta shlyej menjëherë me punë!”, shkruan Bilali.
Në fakt, në mes këtyre fjalëve, pritej diçka edhe për Shkodrën. Sepse ajo, Ilir Beqaj, Benet Beci, Paulin Sterkaj por edhe vetë kryeministri Rama, kanë dhënë jo pak premtime publike, deri aty sa e konsideronin mandatin e tretë si “mandat për Shkodrën”. Sigurisht, pasi direkt ose indirekt kërkonin një farë ndjese, të justifikuar edhe me “mungesën e dëshirës për bashkëpunim të qeverisjes vendore”. Kjo, edhe pasi nga vera e nxehtë e 2019- ës, Këshilli Bashkiak i Shkodrës është nën kontrollin absolut të partisë së Ramës dhe Bilalit.
Më poshtë, tek i njëjti postim, ministrja Bilali ka vendosur edhe tre hashtagë. Interesant është rreshtimi, i cili është copy- paste si i marrë nga një prej postimeve të fushatës elektorale të 25 prillit 2021.
#Shqipëriaeardhjajonë
#skakohëpërpushim
#Edonashkodren
Në këtë nisje të mandatit të tretë socialist, nuk janë të pakta pritshmëritë edhe për Shkodrën. Të paktën duke gjykuar nga fjalime, deklarime e premtime të fushatës së fundit. Krahasuar me 4 vite më parë, kur Shkodra përfaqësohej nga Senida Mesi si zëvendëskryeministre e Ditmir Bushati si ministër i jashtë, pesha politike në qeveri duket më e vogël. Madje, krahasuar edhe me mandatin e parë 2013- 2017, kur Ilir Beqaj ishte më shumë se ministër i shendetësisë në qeverinë “Rama 1”.
Ndërsa shumëkush mendonte se ministër i sigurtë do të ishte Benet Beci, mbase edhe si imazh Edona Bilali, kryeministri Rama mori “kthesën” në momentin e fundit, ashtu siç e bën që nga koha kur firma e tij ka forcë të vendosë fatet e zyrtarëve poshtë tij. Si e vetmja përfaqësuese e Shkodrës në qeverinë “Rama 3”, Edona Bilali ka një përgjegjësi mjaft të madhe përballë atyre që e votuan por edhe atyre që dëgjuan premtimet publike të Ramës dhe të tjerëve. Përgjegjësia e saj rritet edhe më shumë, kur mbi supe ka edhe postin politik të kryetares së PS- së për Qarkun Shkodër.
Deputetja- ministre ka detyrimin të tregojë konkretisht se #EdonaShkodren që po përdor prej 6 muajsh, nuk është thjesht një hashtag elektoral. Ajo tashmë është “e dënuar” të bëhet promotore, edhe publike e mbajtjes së premtimeve për Shkodrën si bashki por edhe si qark. Një vajzë 32 vjeçare, ka detyrimin të mbushë ose të paktën të nisë të mbushë, boshllëkun 8 vjeçar të krijuar nga mungesa e dukshme e vëmendjes së qeverive për investime të rëndësishme për këtë rajon.
Natyrisht, nuk është e lehtë, sidomos me një kryeministër “lunatik” si Edi Rama, aq më shumë kur Shkodra “i hëngri” rrugës edhe një deputet socialist, aq më shumë kur tashmë prej muajsh, po ziejnë edhe pakënaqësi në radhët e vetë PS- së Shkodër, pakënaqësi që no disa raste janë “derdhur” edhe nga “kazani” që valon.
Ndoshta sot Shkodra mungoi në publikimin e parë si ministre të Edona Bilalit sepse më shumë donte të fliste si ministre e Shqipërisë, e të gjithë shqiptarëve. Por nga nesër, Shkodra e shkodranët, në kuptimin e Bashkisë e të qarkut, duhet të jenë kryefjalë. Ashtu siç ka ndodhur me thuajse të gjithë ministrat e këtyre 8 viteve apo edhe me deputetët “e fuqishëm” që i jepnin urdhra antarëve të kabinetit. Të paktën këtë presin Shkodra e shkodranët, nëse fjalët duhet të kthehen në vepra për të mos u zverdhur arkikave apo fshirë nga Facebook me kalimin e viteve.
Mandatet e kaluara, këto 8 vite, nuk ia kanë dalë të lënë gjurmë të rëndësishme në këtë rajon. Madje, as miliardat e të famshmes “Rilindja Urbane” e cila nga 2014- a nuk ekziston për qytetin e nxjerrë nga harta. Po ashtu, përfaqësuesit e Shkodrës në qeveri nuk u dorëhoqën por u shkarkuan, edhe pse nuk u tha kurrrë shqeto, edhe për paaftësi. Nëse Edona Bilali nuk ia del të mbajë premtimet e saj, Ramës apo të tjerëve, nuk duhet të presë ta shkarkojnë…. /Nga Sokol N. SOKOLI/