Shqipëria sot futet në një fazë krejtësisht të re pas rreth 30 viteve rrugëtim në sistemin demokratik- pluralist. Partia Socialiste, “Rilindja” dhe një krijesë numrash rastësorë e quajtur “opozita e re”, do të ndërmarrin ndryshimin e njëanshëm të Kushtetutës së vendit. Sot e kësaj dite, Partia Demokratike dhe aleatët e saj të grupuar së bashku në Opozitën e Bashkuar dhe që përfaqëson me numër votash më shumë se gjysmën e shqiptarëve, nuk do të përfshihet në këtë proces.
Demokracia është formë por edhe përmbajtje, ligj por edhe moral. Jo më kot ecin paralelisht konceptet “de facto” dhe “de jure”. Pas 31 marsit 1991, të konsideruar si zgjedhjet e para pluraliste në këtë vend pas 45 viteve diktaturë, Ramiz Alia kishte shumicë dërrmuese në parlamentin e dalë. Por as lideri i fundit komunist i këtij vendi, nuk mori guximin të ndërmerrte hapa të rëndësishëm për vendin pa konsensusin e opozitës së sapolindur, Partisë Demokratike.
Pas 22 marsit 1992, Sali Berisha si president i vendit, mbështetej nga një shumicë mbi 2/3 në parlamentin e asaj kohe, por miratimin e Kushtetutës ia delegoi shqiptarëve në 1994- in, ku humbi në referendum dhe e pranoi rezultatin.
Në zgjedhjet e 29 qershorit 1997, Fatos Nano do të futej në parlament me një shumicë që mund të përmbyste gjithçka në këtë vend, nëse do të kishte dëshirë. Por Kushtetutën e parë të vendit, pas 45 viteve komunizëm, ia paraqiti për votim e miratim qytetarëve me 12 shtator 1998, e ratifikoi në Kuvend me 21 tetor të atij viti dhe presidenti i kohës, Rexhep Mejdani, e dekretoi me 28 nëntor 1998.
Nga viti i miratimit, Kushtetuta ka ndryxshuar disa herë. Në të shumtën e rasteve, iniciatorët e ndryshmeve kanë shprehur pendesë disa vite më pas. Por në të gjitha rastet, ndryshimet janë bërë me konsensus, të paktën të dy partive të mëdha që kanë qeverisur letë vend, PD dhe PS. Në të shumtën e proceseve të ndryshimeve, në thelb kanë qenë interesa politike, por që gjithherë kanë konverguar në konsensus PD- PS.
Sot, ky rregull i konsoliduar, por prishet. “De facto”, është vullneti i një njeriut të vetëm, kryeministër i këtij vendi, Edi Rama. “De jure”, është bashkimi i numrave të PS+ Rilindje me numrat e papërcaktuar politikisht të “opozitës së re” që po mundëson pse jo, shembjen e një sistemi “rregullash loje” të gjithëpranuar.
Ndërkombëtarët, që në çdo rast kanë qenë e janë iniciatorë të konsensusit politik, edhe në këtë rast po e kërkojnë. Por publikisht, kanë pranuar “teorinë e faktit të kryer” nga kryeministri, duke tejkaluar segmentin e ndryshimeve kushtetuese sot në Kuvend, për të vijuar “konsensusin” me përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Edhe pse jo zyrtarisht, Ndërkombëtarët po i ofrojnë mbështetje të pamerituar Edi Ramës, sidomos në kushtet e ndyshimeve të njëanshme kushtetuese, me votat e disa deputetëve që përfaqësojnë vetëm vetveten në Kuvend. Aq më shumë, kur në dritën e dosjeve “184” dhe “339”, eshtë kuptuar se edhe në zgjedhjet e 2017- ës, Edi Rama nuk ka marrë një fitore të pastër.
Ajo çfarë mbetet për t’u parë, është reagimi i Opozitës së Bashkuar, që edhe ajo, do të vihet para “faktit të kryer”. Cila do të jetë “arma e re”, pas arsenalit që përdori për të ndaluar “30 qershorin” dhe që nuk ia doli?
Edhe sot, e përsëritën që ndryshimet e njënashme, nuk detyrojnë Opozitën e Bashkuar dhe qytetarët t’i zbatojnë ato. Por deri tani, Edi Rama ka treguar se ka nën administrim të gjitha qelizat e që vargojnë njëra pas tjetrës deri në nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve. Ka në dispozicion 60 administrata vendore, qindra ndërmarrje e institucione të varësisë së qeverisjes vendore si dhe, një administratë qendrore e rajonale prej 7 vitesh.
E përzënë nga hartimi i “rregullave të lojës” me forcën e numrave “de facto” ilegjitimë, Opozita e Bashkuar ka vetëm një rrugë, jo atë të “30 qershorit”. Me çdo kusht duhet të hyjë në zgjedhje. Edhe nëse Presidenti Meta do të ngurrojë t’i dekretojë, duhet t’ia kërkojë vetë Opozita e Bashkuar. Sepse Opozita e Bashkuar i fiton zgjedhjet. Ndoshta jo me rezultat të thellë për shkak të manipulimit dhe favorizimit të Rilindjes edhe nga ndryshimet kushtetuese, heqja e koalicioneve etj., por e mund Edi Ramën.
Sepse e mundin shqiptarët, edhe vetë socialistët e votojnë kundër. Kujtimi i diktaturës është shumë i afërt për shqiptarët dhe askush nuk preferon një neo-diktator në një demokraturë. Qoftë ai i majtë apo i djathtë. Edhe diçka. Precedenti i rrezikshëm i ndryshimeve të njëanshme kushtetuese e ligjore, do ti kthehet në boomerang shumë shpejt. Në mos Edi Ramës sepse mund të jetë në pension politik, PS- së, pasi të ketë shpëtuar nga thonjtë e Rilindjes. /Shënim i ShkodraWeb Media/