Rilindja Kombëtare, është një nga periudhat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Është blatimi i asaj që u kurorëzua me 28 nëntor 2012 si Pavarësia e Shqipërisë, e cila pa ndërgjegjësimin kombëtar të përfaqësuesve më të spikatur të Rilindjes Kombëtare, do të ishte e vështirë të ndodhte.
Për shkak të kushteve tashmë historikisht të njohura, pjesa dërrmuese e eksponentëve të Rilindjes Kombëtare, pjesën dërrmuese të aktivitetit letraro- patriotik, e kryen jashtë Shqipërisë së vogël të kohës. Edhe për arsye të sigurisë së jetës, ata qëndruan në qytete të ndryshme të Europës Përendimore por edhe në Stamboll, Bukuresht etj.
Historia është ciklike, përsëritet, edhe pse vështirë ti afrohemi madhështisë së Rilindjes Kombëtare. Ata që sot janë jashtë Shqipërisë, jo detyrimisht mund të përcaktohen si elita e Kombit. Mepatjetër, konsiderohen mbase pjesa më e mençur në raport me krijimin e mundësive më të mira ekonomike- jetësore për vete, fëmijët, pasardhësit por edhe ata që kanë lënë pas, duke iu dhënë shpresë herë pas here përmes agjensive të shumta të transferimit të vlerave monetare apo edhe CASH gjatë vizitave fizike në vend.
E ndërsa në fillim të viteve ’90, edhe për shkak të mungesës së mexhliseve elektronike por edhe problemeve të tyre të mbijetesës ekonomike, nuk ishin shumë të interesuar për zhvillimet në Shqipëri, këto 15- 20 vitet e fundit, tentojnë të jenë pjesë dhe madje, të imponohen. Natyrisht, më shumë përmes shfaqjes në rrjete sociale (kujtoni shprehjen e Umberto Eccho) por edhe tavolinave të kafeneve, kur begenisin të rikthehen në atdhe.
Kjo “begenisin” është në kuptimin e plotë të fjalës, kur lokaleve të shumta të Shkodrës, dëgjon të gjitha gjuhët e botës në dialogun prindër (të lindur e rritur në Shqipëri) me fëmijë, nipër e mbesa të lindur në emigrim. Sepse begenisja, nis nga respektimi i rrënjëve, trungut që themelet e forta i ngrejnë pikërisht mbi kultivimin e mosharrimin e gjuhës amtare. Shembujt janë të shumtë, më i ndrituri ai i arbëreshve në Itali.
Me disa qindra euro në xhep, qindramijë apo miliona në llogaritë bankare, një pjesë jo e vogël e tyre, sigurisht jo detyrimisht më të arsimuarit e të shëtiturit, kanë nisur të japin mend. Nuk po themi të shesin mend sepse nuk ua blen askush. Sepse sheshin mend të skaduar ose në prag të skadencës, të cilat vetëm ti kuptosh është e pamundur jo më ti shfrytëzosh duke i përzier me neuronet e trurit.
Fatkeqësisht, ora e një pjesë të konsoderueshme të tyre, ka ngelur në 1990. Janë rritur ekonomikisht mbase, vishen e ushqehen më mirë, kanë më shumë para në banka por vetëm kaq. Edhe për shkak të kushteve të jetës, nuk kanë punuar sa duhet me veten. Janë mjaftuar me informacione të servirura ktryesisht politikisht dhe me krijimin e realiteteve të perceptuara përmes grupimeve të vogla familjare apo miqësore.
Dikujt ky vend, tek i cili jemi të dënuar të jetojmë një pjesë e madhe e shqiptarëve, i duket parajsë. Dikujt tjetër i duket më i keq se ferri i Dantes, në të gjithë rrathët e tij. Sepse e njohin Shqipërinë nga larg, përmes fjalëve të të tjerëve apo informacioneve, që jo për faj të vetëm të tyre, nuk dinë ti përzgjedhin si më afër realitetit.
Këto kohë, po flitet shumë për të drejtën e votës së emigrantëve shqiptarë në botë. As që diskutohet, duhet tu jepet kjo e drejtë kushtetuese. Duhen gjetur modalitetet që edhe ata që shprehin preferencën e tyre për pushtetin politik apo administrativ. Përsa kohë kanë një pasaportë shqiptare në xhep, pavarësisht të tjerave që mund të kenë fituar, duhet të ushtrojnë çdo të drejtë kushtetuese. Por a mund të jetë e barabartë vlera e votës së tyre me atë që shqiptarëve rezident në këtë vend? Në kuptimin që, 10 mijë vota nga jashtë Shqipërisë, të prodhojnë mandat deputeti siç mesatarisht ndodh me votat e shqiptarëve brenda vendit?
Sigurisht, natyrisht që jo! Për arsyet që thamë më sipër. Sepse ata e shohin Shqipërinë nga lart, larg, në rastin më të mirë, përmes përcptimeve të të afërmëve të tyre dhe nuk është aspak çudi që të “marrin në qafë” këtë vend, duke mos vuajtur asnjë pasojë sepse do të vazhdojnë të jetojnë jashtë. Emigrantët, duhet të kenë zonën e tyre elektorale, nga e cila ata të mund të zgjedhin vetëm një numër të caktuar deputetësh.
Të kesh para, të kesh prona, të kesh pasuri, nuk ka asnjë mundësi të të bëjë më të përgjegjshëm, më të zgjuar, më të pushtetshëm, sidomos kur jeton jashtë një vendi, për fatet e të cilit të duhet të vendosësh! Ne që kemi zgjedhur të jetojmë këtu, të krijojmë familje e të rrisim fëmijët, mbase jemi më budallenjtë, më të papërgjegjshmit, më të paditurit, më të këqinjtë, më frikacakët…por ndoshta edhe më patriotët! Ndoshta…
I këndojmë apo i vajtojmë atdheut por edhe fatit tonë e të pasardhësve, nga brenda kufijve të Shqipërisë! Prandaj na kurseni moralin dhe shitjen e mendve nga jashtë, nën shembullin e 200 viteve më parë, natyrisht me shumë më pak vlera. /Shënim i ShkodraWeb/