Më datë 11.10.2024, në orën 09:30, shtetasi A. B., 32 vjeç, ka kallëzuar se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, persona të paidentifikuar që qarkullonin me një motomjet, i kanë drejtuar një send, në dukje armë zjarri, afër një lokali në pedonalen e Shkodrës. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer veprimet e para hetimore. Nga veprimet paraprake të kryera dhe informacionet e marra në rrugë operative, paraprakisht dyshohet për dy shtetas, por për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Ky ishte njoftimi zyrtar i Policisë së Shkodrës, i dhënë për mediat e opinionin publik në datën që e shihni edhe më sipër. A.B. janë inicialet e Arlind Bushatit, 32- vjeçarit që sot humbi jetën në një atentat në dalje të Shkodrës, në rrugën Shkodër- Koplik, në afërsi të monumentin “5 Heronjtë”. Se çfarë ka bërë policia gjatë këtyre rreth 19 ditëve nga denoncimi, është shumë e qartë: ASGJË!
Në njoftimin e saj, policia bënte me dije se dyshohet paraprakisht për dy shtetas. Pra, kanë patur informacion, një pistë të mundshme për të shkuar tek personat, të cilët me një motor, në pedonalen e Shkodrës, në një orar pik, nuk ngurruan të nxjerrin armën, ta drejtojnë brenda një lokali plot me klientë, për të shenjestruar pikërisht 32- vjeçarin. Po për shtetasin Arlind Bushati, çfarë masash mori policia, për ta mbikqyrur apo edhe mbrojtur? ASNJË!
Përmes denoncimit zyrtar, i fuqizuar edhe nga mediatizimi, Arlindi kërkoi edhe mbrojtje. Ai ndjehej i rrezikuar për jetën, i kërcënuar me akte konkrete, ndaj pronës së familjes së tij dhe atij vetë. Policia do të duhej ti garantonte jetën, mbrojtje, të paktën për disa javë apo muaj, teksa hetimi i denoncimit të bërë nga ai, të arrinte në një pikë ku të shuhej rreziku real.
Sot, 32- vjeçari, prind i një fëmije të mitur, bashkëshort, djalë dhe pinjoll i një prej familjeve më të njohura të Shkodrës, u nda nga jeta. Policia e ka detyrë kushtetuese të mbrojë jetën e çdo qytetari shqiptar. E ka dyfish këtë detyrë, kur vetë qytetari denoncon se i kërcënohet jeta. E ka detyrim më të madh, kur më herët, pak më shumë se dy vite më parë, iu vendos tritol një pronë të familjes Bushati në mes të Shkodrës, pronë kjo e dhënë me qira.
Fatkeqësisht, kjo e sotmja, është një vrasje e paralajmëruar. Paralajmërim që nisi më shumë se dy vite më parë dhe u përsërit sërish si paralajmërim edhe më i rëndë, më pak se dy javë më parë. Në një shtet normal, sot do të duhej të dëgjonim së paku për dorëheqje të zinxhirit komandues- drejtues të policisë së Shkodrës e më lart. Në të kundërt, ministri i linjës, duhej të njoftonte shkarkimin dhe kalimin për ndjekje penale. /Nga Sokol N. SOKOLI/