Pas deklaratës së Iris Luarasit, pedagoge e Gazetarisë në Universitetit të Tiranës se kishte ngelur në provim disa emra të njohur në media, mes tyre edhe moderatoren Arbana Osmanin, vjen një reagim nga kjo e fundit. Përmes një postimi në ‘Instagram’ Osmani teksa i përgjigjet pedagoges, shton se e ka dashur këtë lëndë më shumë se Iris Luarasi.
Moderatorja nuk i ka kursyer as kunjat për Luarasin, ndërsa e quan atë “mikeshën e saj”, ndërsa e mbyll me një mesazh; Edhe “ngelës” mund t’ja dalësh.
REAGIMI I ARBANA OSMANIT
Në vitin e dytë të fakultetit, frekuentimi i të gjitha leksioneve për mua që punoja në Top Albania Radio ishte i pamundur. Kisha luftuar shumë për atë vend pune dhe në kohën që im atë ishte i papunë dhe ne jetonim në një shtëpi me qira, puna ime ishte shumë e rëndësishme për familjen time.
Përveç kësaj isha duke ndjekur pasionin tim, të cilin një pjesë e mirë e pedagogëve të mi e kanë mbështetur gjithmonë, me përjashtim të rasteve të rralla siç është rasti i zysh Irisit. Unë e dija që do të më mbeste në klasë ende pa filluar mësimi pasi kisha dëgjuar sa strikte ishte për mungesat, por atë vit zgjedhja ime ishte të ruaja punën. Do kisha dashur shumë të isha në çdo leksion të saj sepse “Gazetari Radio” ishte lënda ime e preferuar (dhe më pas jam vlerësuar me 10), por nuk mundesha sepse emisioni im në radio ishte të mërkurën në orën 12, atëherë kur fillonin leksionet me zysh Irisin. Dhe nuk më vjen keq’, shkruan Arbana.
Një vit më vonë e mora 10 e dy vite më vonë temën e diplomës zgjodha ta punoja prapë me zyshën e prapë mora 10-të. E vetmja gjë për të cilën më vjen keq është që “mikesha jonë” zgjedh të trajtojë si ngelësa njerëz që e kanë dashur lëndën e saj, ndoshta dhe më shumë se vetë zysha, por për arsye frekuentimi nuk kanë mundur të jenë të pranishëm në çdo leksion. Nga e gjithë kjo përvojë gjithsesi sot kam mësuar një leksion edhe më të rëndësishëm. Nuk të bën as ngelës e as dështak, e as të paaftë nota e një mësueseje. Përkundrazi, edhe pse jam e bindur që zysh Irisi nuk ka pasur asnjë qëllim të keq të dëmtojë reputacionin tim apo të kolegëve të mi, iu ka dëshmuar të gjithë të rinjve që na ndjekin që edhe “ngelës” mund t’ja dalësh!’, përfundon Osmani.
DEKLARATA E PEDAGOGES
Mbrëmjen e së shtunës, teksa ishte e futuar në emisionin “Shiko kush Luan” Iris Luarasi gjatë sfidës “Ndaje ose Haje” tregoi fakte interesante, për disa nga ish-studentët e saj, ndërsa deklaroi se disa prej tyre kishin ngelur në klasë.
“Në fakt do t’ju them katër emra të cilët tani i kam shumë miq, por në kohën kur ishin studentë kanë mbetur në klasë. Janë: Arbana Osmani, Jonida Shehu, Erl Murati dhe Artan Hasani”, tha Luarasi.