Disa zona në Veri të vendit vijojnë të jenë të përfshira nga flakët. Emergjencat Civile kanë raportuar mbi situatën e zjarreve, ku në zonën e Velipojës, është bërë e mundur shuarja e flakëve në një sipërfaqe toke.
Në fshatin Oblikë, situata paraqitej më e rrezikshme pasi flakët rrezikonin banesat. Forcat zjarrëfikëse bënë të mundur shuarjen e vatrave të zjarrit në këtë zonë, teksa po vijojnë monitorimin.
Ndërkohë edhe në fshatin Juban ka pasur një rast zjarri ku janë rrezikuar disa banesa. Gjatë pasdites ka patur një riaktivizim të disa vatrave, por është bërë e mundur shuarja e tyre.
Mësohet se edhe në Pukë është raportuar për një rast zjarri në sipërfaqe me ferra dhe shkurre. Pas ndërhyrjes së autoriteteve, është bërë e mundur shuarja e tyre.