Banesës së shefit të Krimeve në Shkodër, Pëllumb Shpati, i është vënë mëngjesin e sotëm një sasi lënde plasëse.
Si pasojë e shpërthimit, i cili sipas familjarëve ka qenë tepër i fortë, janë shkaktuar dëme materiale, përfshirë thyerje e xhamave të banesës dhe makinave.
Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa sipas babait të Shpatit, dyshimet e tyre lidhen për shkak të detyrës, pasi ata nuk kanë konflikt me njeri.
Sakaq, mësohet se kamerat e sigurisë pranë banesës kanë fokusuar një person që largohet me vrap, që dyshohet se është autori.
Policia përmes kamerave të sigurisë të një objekti aty afër ka arritur të zbulojë se si një person vjen në këmbë dhe vendos sasinë e tritolit në hyrjen e oborrit të banesës së shefit të krimeve.
Për shkak të errësirës, policia nuk e ka identifikuar dot këtë person. Pasi vendos tritolin, autori i dyshuar largohet në këmbë për disa metra dhe më pas hipën në një automjet duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Pëllumb Shpati ka deklaruar se nuk ka ndonjë konflikt apo kërcënim gjatë kësaj kohe dhe se e ka të paqartë se cilat janë arsyet e këtij sulmi me lëndë eksplozive. Ndërkohë mësohet se dy vëllezërit e Pëllumb Shpatit, njëri është polic burgu dhe tjetri pjesë e ushtrisë si nënoficer.