Nëse nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes ende nuk ka asnjë reagim zyrtar në lidhje me shpërblimin e trajnerit Zef Kovaçi, në këtë çështje është përfshirë edhe kryetrajneri i aktual i Kombëtares, Artur Lagja.
Edhe pse nuk është përmendur për asnjë moment, Lagja ka shpërthyer duke iu përgjigjur me akuza të forta trajnerit Kovaçi, teksa i citon një ngjarje të 31 viteve më parë. Në një deklaratë drejtuar “Panorama Sport”, Artur Lagja sulmon personalisht trajnerin Kovaçi:
“Në vitin 1991, kur unë kam qenë edhe vetë pjesë e Kombëtares, trajneri Zef Kovaçi shiti të gjithë ekipin shqiptar në Greqi, duke filluar nga Pirro Dhima, për të vazhduar me Lorenc Gogën apo Viktor Mitron. Pra e ka lënë ekipin e peshëngritjes në rrugë në 91-shin për 50 mijë dollar dhe mos të hiqet si i ndershëm. Një trajner që shiti ekipin kombëtar dhe na la në baltë të gjithëve.
Zef Kovaçi është krenuar gjithmonë me sportistët shkodranë, ku një ndër ta është Erkand Qerimaj, pasi është një trajner që nuk ka pasur ekip kurrë. Mburret me sportistin tim, me Erkand Qerimajn. Jam unë që e kam mësuar Erkandin si ecet në pedanë dhe si kapet shtanga”, deklaron Artur Lagja.