Siç ka njoftuar para disa ditëve ShkodraWeb Media, me 9 mars përfundon afati për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e ankandit për shitjen e 100% të aksioneve të KF Vllaznia sh.a., pronare e të cilës është Bashkia e Shkodrës. Bëhet me dije se procesi i ankandit, ditët e fundit, ka tërhequr mjaft interes. Kundrejt vlerës 2000 lekë, çdokush mund të blejë dokumentacionin për tu bërë pjesë e ankandit.
Deri tani, duket se janë disa të interesuarit për të blerë aksione nga KF Vllaznia sh.a. Interesi lidhet me personat që janë afruar për të blerë dokumentacionin e pjesëmarrjes në ankand. Numri i saktë nuk bëhet i ditur, por janë të paktën 5 kompani por edhe individë që kanë tërhequr dokumentacionin, duke shprehur kështu interes për pjesëmarrjen në ankand.
Nga burime jo zyrtare, mësohet se në mes atyre që kanë shprehur interes ka kompani të njohura por edhe individë nga bota e bisnesit. Ndër to, edhe ish- sponsor apo drejtues të Vllaznisë në vite, para 2011- ës kur klubi kuqeblu kaloi 100% në pronësi të Bashkisë Shkodër. Siç dihet tashmë, vlera fillestare e ankandit është 507 milion lekë të vjetra, por duke qenë ankand, parashikohet që kjo vlerë të jetë më e madhe.
Nuk përjashtohet mundësia që aksionet të blihen edhe nga një bashkim kompanishë apo individësh që kanë shprehur interes por fillimisht, ata duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara në hapje të këtij ankandi. Vetëm pas plotësimit të kritereve të paracaktuara, do të kalohet në vlerësimin e ofertave dhe shpalljen e ofertuesve fitues.
Me përfundimin e ankandit, pritet që të nisë një erë e re për Vllazninë e futbollit, si një Shoqëri Aksionare që administrohet nga privatët. Synimi është që ky proces të përmbyllet sa më shpejt të jetë e mundur, edhe pse ka pasur sugjerime publike të procesi i ashtëquajtur i privatizimit (në fakt është shitje me ankand e aksioneve), të shtyhet në fund të sezonit pët të mos ndikuar ecurinë pozitive të deritanishme të KF Vllaznia sh.a. /ShkodraWeb Media/