Thomas Brdaric, trajneri i Vllaznisë, ishte i ftuari special i emisionit “Ora Sport” për këtë javë. Teksa foli për rrugëtimin e tij të deritanishëm te skuadra shkodrane, tekniku kroato-gjerman u shpreh mirënjohës dhe i vlerësuar që i është besuar Vllaznia e re, ndërsa shtoi si anë pozitive për ekipin e tij faktin që kundërshtarët nuk e morën shumë seriozisht në fillim të sezonit.
Thomas Brdariç: Realisht jam shumë i vlerësuar dhe jam shumë mirënjohës që jam pjesë e kësaj Vllaznie të re. Jam i privilegjuar të jem i besuari i Alban Xhaferrit dhe Voltanës (Ademi). Po punojmë së bashku dhe po rritemi së bashku.
Gjatë këtyre 6 muajve jam ndjerë shumë mirë. Dua të them se rrethi ynë ka funksionuar shumë mirë dhe kjo është arsyeja pse kemi marrë këto rezultate pozitive gjatë kësaj periudhe. Kur nisa në gusht për të punuar me këtë Vllazni, me Vllazninë e re, e nisëm nga zero.
Në fillim ne kishim pak futbollistë nga grupi i kaluar, kishim shumë futbollistë të rinj pa eksperiencë. Pa eksperiencën e duhur për të arrirë atë që ne duhet të arrijmë dhe me shumë punë, por edhe me fat, sigurisht duke marrë edhe mbështetjen e drejtorit dhe stafit tim, arritëm të bënim zgjedhjet e duhura dhe sot të jemi aty ku jemi.
Mund të them që është gjë e mirë që kundërshtarët nuk na vlerësuan ashtu siç duhet që në fillimi i kampionatit, por tani që ka kaluar një pjesë e mirë e tij na shohin ndryshe dhe është shumë e vështirë për ta mposhtur sot Vllazninë.
I pafat me Laçin?
Thomas Brdaric: Në ndeshjet e fundit nuk kemi patur mundësi të luajmë futboll. Ndaj Kastriotit kur pati shumë shi, ndaj Partizanit luajtëm në një terren të rënduar. Unë jam një trajner që pëlqen futbollin ofensiv, agresiv por kushtet atmosferike nuk na kanë lejuar të punojmë të qetë.
Nuk dua të justifikohem. Humbja me Laçin ishte për fajin tonë. Nesër do të ritakohem me futbollistët e mi dhe do të vazhdojmë punën. Dhe do t’i tregoj futbollistëve të mi për gabimet e kryera. Për mua Laçi është një top-skuadër shumë e mirë me një trajner me shumë eksperiencë. Duhet të mësojmë nga ndeshja me Laçin”.