Gjykata Kushtetuese në një vendim të marrë së fundi, ka rrëzuar kryeministrin Edi Rama, i cili shkarkoi në vitin 2019 nga posti i kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Zef Hilën. Në vendimin e Kushtetueses thuhet se Hilës i është shkelur e drejta për t’u njoftuar dhe për t’u dëgjuar, si dhe e drejta e prezumimit të pafajësisë.
Hila u shkarkua në një vendim arbitrar nga Rama, pas djegies së një KZAZ-je në Bushat, kur pa folur drejtësia, vetë qeveria mori rolin e një gjykate. Votuan pro kërkesës së Hilës ishin: Vitore Tusha, Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja dhe Përparim Kalo. Votuan kundër gjyqtarët: Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Altin Binaj.
Asokohe, Hila u paraqit dhe në Polici duke shprehur se nuk ka pasur dijeni për çfarë do të ndodhte në KZAZ-në e Vaut të Dejës. “Dija vetëm që do të bëhet protestë paqësore. Nuk kam dijeni për asgjë tjetër”, pati deklaruar Hila. Më pas, ishte kryeministri Edi Rama i cili firmosi shkarkimin e tij, ndërsa paralajmëroi të njëjtin fat për këdo që sipas tij “do të përpiqej të pengonte zgjedhjet”.
Policia njoftoi më 27 qershor 2019 mbi ngjarjen se “rreth orës 20:00 janë grumbulluar rreth 200-250 simpatizant të PD, tek KZAZ nr.6 e cila është ngritur pranë një shkolle në Bushat, Vau i Dejës.
Gjatë protestës ata kanë sulmuar KZAZ duke përdorur bomba molotov dhe mjete të tjera të forta. Për pasojë janë plagosur 3 punonjës policie të Komisariatit Vau Dejës, që ishin në shërbim”.
KLIKONI LINKUN KËTU PËR TË LEXUAR TË PLOTË VENDIMIN E GJYKATËS KUSHTETUESE