Pas 8 vitesh, zgjodha që për herë të dytë, të udhëtoj përmes aeroporteve në Shqipëri. Gjatë gjithë kësaj periudhe, kam preferuar atë të Podgoricës fqinje, për shkak të çmimeve shumë më të lira, korrektësisë në orare dhe sherbimeve më të mira. Në 8 vite, me rreth 20 fluturime, asnjë vonesë dhe asnjë problem me malazezët.
Këtë herë, vendosa të udhëtoj drejt Vienës, përmes Kukësit. Zgjodha WizzAir, për çmimin e lirë megjithëse deri diku, i bindur se të papriturat janë shumë të pritura për kompaninë në fjalë dhe vendin tonë. Nisja nga aeroporti i shumë reklamuar, ishte shumë korrekte. Pa asnjë lloj vonese ! Aeroport sa një kuzhinë, me vetëm 2 fluturime në ditë (ai drejt Vienës dhe Memingem, në Gjermani). Edhe mbërritja ishte në kohën e duhur.
3 ditët e pushimit, kaluan shpejt në Vienë. Qytet, i cili të tregon në çdo centimetër të tij, se sa mbrapa botës jemi si popull, si mentalitet e si kulturë. E diela, është dita e rikthimit. Lëmë pas të ftohtin e Austrisë dhe paraqitemi në aeroport, kryejmë kontrollet, hapet porta, hipim në avion dhe nisemi.
Deri këtu çdo gjë është në rregull për rreth 50 udhetarët nga Viena për në Kukës. Mes nesh janë: pak shqiptarë të Shqipërisë dhe shumë të Kosovës e Maqedonisë si dhe disa austriak.
Fluturimi vazhdon normalisht dhe piloti pas rreth 50 minutash, njofton për uljen. Ecim dhe jemi diku mbi Shkodër. Koha fantastike me diell! Pas 10 mininutash një tjetër mesazh. Ploti flet në hungarisht, gjermanisht, anglisht e pastaj një stjuardese shqiptare, na iluminon:
“Zonja dhe zotërinj, për shkak të kushteve meteorologjike të papërshtatshme, me shtrëngata dhe erë, do të bëjmë ulje të detyruar në Rinas, Tiranë. Ju lutem uluni dhe qetësohuni.”
Jashtë dielli shkëlqente ndërsa stafi na komunikon për shtrëngata dhe stuhi. Ulemi në Rinas. Pas rreth 30 minutash, sorollatje nëpër aeroport dhe pa asnjë informacion, vjen një djalë i ri:
– A je për Kukës ?
– Po ne jemi, të Vienës
– Hajde me ne se ai është autobuzi por të lutem njofto edhe të tjerët.
Si përfundim, jemi rrugës për Kukës me autobuz, falë Wizz Air, prandaj kam kohë të shkruaj kaq gjatë. Shkatërrim planesh, mashtrim e tallje me ne. Një sugjerim: Bojkot WizzAir dhe zgjedhni Podgoricën për çmimet dhe korrektësinë. Malazez janë, por nuk tallen me ne.
P.S:Koha në Kukës është fantastike sot. /Nga Klodian ZHIVANI, gazetar, publikuar në Facebook/