Zgjedhja e kryetarit të ri të Partisë Demokratike ka përçarë edhe më shumë PD-në e vulës! Në një kohë që kryesia kishte vendosur të thërrasë sot mbledhjen e Këshillit Kombëtar në orën 12:00, mësohet 17 deputetë të PD-së marrin pjesë, për verifikimin e listës së anëtarëve të këshillit dhe të listës së zgjedhësve të cilët do të votojnë për kreun e ri të demokratëve.
Këshilli ka patur 478 anëtar, por 15 janë përjashtuar, kësisoj në total janë 453 anëtar. Që të quhet mbledhje vendimmarrëse duhet të plotësohet kuorumi prej 227 anëtarësh. Karrige të vendosura janë 186.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se dje (19 qershor) se mbledhja që pritet të mbahet sot nga Këshilli Kombëtar i PD-së është ilegjitime dhe e papranueshme për shkak se anëtarët e kryesisë që e kanë njoftuar, kanë vepruar në kundërshtim me statutin duke shkelur kompetencat e tij si Sekretar i Përgjithshëm i partisë.
Sipas Bardhit, nuk ka përse të veprohet me nxitim për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë. Ai tha se veprimet e kryera së fundmi, tregojnë se po veprohet për interesin personal të disa individëve, duke nënkuptuar edhe Lulzim Bashën i cili së fundmi është rikthyer në takime me të rinjtë demokratë duke lënë të kuptohet se planifikon të kandidojë për kreun e partisë.
PD sakaq ka përcaktuar 12 kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për zgjedhjet e 29 korrikut, të lidhura me angazhimin politik në parti, integritetin moral dhe aftësitë organizative.