“Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! – Sami Repishti –
‘Nën hijen e Rozafës’
Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuam, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
Gjatë kësaj vale terrori, takova njenin nga shokët e grupeve antifashiste të ditëve të liceut, nji vlonjat. Ishte përgjegjës i rinisë së batalionit. U gëzova që e pashë. Ishte i lodhun nga marshet e vazhdueshme, por i kënaqun e entuziast. U përqafuem. E mora në shtëpi për darkë, që të kishte mundësi me u pastrue e, me pushue nji natë si duhet. Ai pranoi. Mbas darkës, vetëm në dhomën time të vogël, filluam bisedimin që u shndrrue në nji debat të nxehtë e megjithatë, të njerëzishëm. I tregova për ngjarjet në qytet. Nuk u çudit aspak. Më tha se; “kemi probleme me veriun” dhe se; “Shkodra është koka e reaksionit”.
Kur pyeta, si mendojshin me e mbajtë pushtetin kështu, me forcë e gjak dhe, si mendonte ai se; “bota do t’i duroje të gjitha këto”, ai më përgjigje: “Kemi nevojë vetëm për dy muaj, me dorë të lirë në pushtet…! Kemi nevojë për dy muaj, të ekzekutojmë planet që kemi përgatitë…! Ti fole për “botën”…! Në qoftë se anglo-amerikanët, nuk zbarkojnë sot në bregdetin shqiptar, me qëllim që “të ndjekin gjermanët” nga jugu, atëherë, të siguroj unë, se fitorja është e jona, definitivisht”!
E, tue vazhdue me këmbëngulje para shprehjes së çuditjes sime, ai shtoi: “Nuk flas në erë, me beso! Gjatë këtyne ditëve, kemi përpunuar plane konkrete, që do t’i zbatojmë që në minutën e parë. Masat e para drastike: arrestim, ekzekutim, çarmatim, mobilizim e organizim i vendit, si mbas modelit të ‘zonave të çliruara’, janë të gjitha pjesë të pandara të planit tonë strategjik. Ne, nuk do të devijojmë…edhe në qoftë se gabojmë”! Tue parashikue nji kundërshtim të mundshëm, ai vazhdoi: “Kemi edhe lista, listat e atyne që do të likuidohen, por…nuk është nevoja të them më shumë…! Këtë bisedim, e bëj vetëm me ty…”!
Buzëqeshi lehtë, sikur shijonte kënaqësinë e konfidencës që tregonte, me nji shok të vjetër. Mandej, ndezi ni cigare, e thithi me fuqi me shije të plotë, e tue nxjerrë tymin si shtëllunga nga goja e hunda njëkohësisht, ai shtoi: “Përgatitu për ditët vendimtare, të historisë së Shqipërisë. Ne kemi nji mision për të plotësuar: t’i japim historisë së popullit tonë, atë që ai kërkon…! Sot për sot, është pastrimi i terrenit nga pengesat aktive…”, e, tue më shikue drejt e në sy, shqiptoi, tue nda në rrokje të theksueme mirë, fjalën e fundit: “e-të-ardh-shme…”! – Si për shembull, – unë dhe shokët e mi, – plotësova unë me nji gjysëm zani.
Atij i ndryshoi fytyra: – Nuk besoj! – më tha. – Le të ndryshojmë bisedën…! E pyeta për jetën në mal, e vështirësitë e kalueme. Ai e priti me kënaqësi kureshtjen time, e filloi nji monolog që, herë mbas here, bahej dramatik, me elementë të pamohueshëm ekzagjerimi. Por unë, nuk ia shihja të teprueme. Ishte i ri, entuziast, idealist dhe qartësisht, i indoktrinuem. Ai kishte gjetë guximin e duhun, me rrokë pushkën e, me shërbye idealin që e frymëzonte. Kjo ishte thelbësore. Të tjerat?! Nuk ngrejshin peshë, mendojsha, aq ma shumë edhe për faktin se ai, shoku im i shkollës, kishte qenë gjithherë nji tip i shoqnueshëm me të tjerët.
Indoktrinimi, kishte deformue logjikën e tij. Prirja që e bante me përsëritë, si me urdhën, fjalë e frazeologji të marruna në mbledhjet e agjit-propit, e bajshin shpeshherë tregimin të gjatë, pothuajse të padurueshëm. Kur foli për gjendjen ndërkombëtare, ai iu referue koalicionit anglo-sovjeto-amerikan, si, nji “aleancë oportuniste” që në fillim, që i mungonte “sinqeriteti” dhe që eventualisht, do të përfundonte me nji konfrontim, “sidomos me Anglinë”. – Atëherë, ti pret nji luftë të tretë botnore? – i thashë. – Po! – përgjegji me bindje. “Por do ta provokojmë ne, kur të jemi gati…! Tani për tani, vazhdon aleanca…”! Ashtu më kishte thanë edhe kushërini, nji vjet ma parë! E ndigjojsha me vëmendje. Për mue, këto ishin ide të reja, që nuk isha ekspozue ma parë.
E pyeta si kishte ardhë në këtë përfundim sot, kur lufta akoma nuk kishte mbarue e, aleanca vazhdonte me funksionue me sukses. Ai më tha se, “I gjithë faji, bie mbi kurrizin e Çurçillit”! Nuk i besova veshëve të mi. – Si mund të flasësh në këtë mënyrë! – e ndërpreva unë. – Gjatë gjithë këtyne vjetëve, të gjithë kemi adhurue Çurçillin, sidomos mbas qëndresës heroike të Anglisë, në vjetin 1940…! Të kujtohet Londra, Coventry? – “Çurçilli është fashist”! – më tha në mënyrë të preme. – “Ai është pengesa kryesore e fitores, së proletariatit ndërkombëtar. Ai është i njohur për qëndrimin e tij antikomunist, që në vitet e Revolucionit të madh të Tetorit të 1917-ës…”!
Nuk i dijsha këto të dhana. Por, i fyem nga termi “fashist”, pyeta pse e akuzonte Çurçillin si të këtillë! – Çdonjeni që bëhet pengesë në luftën tonë, për fitoren finale të komunizmit në botë, për ne, është nji fashist. Dialogu u kthye në ballafaqim. Unë mbrojsha me gjaknxehtësi kontributin anglo-amerikan, në luftën kundër Gjermanisë e Japonisë, i shtymë ma shumë nga revoltimi, që sollën përcaktimet e tij. Ai pranonte rolin e Amerikës dhe kishte nji farë respekti për figurën e presidentit Ruzvelt, por, kishte formue nji urrejtje patologjike për Çurçill-in dhe “politikën djallëzore të Britanisë së Madhe”.
“Janë anglezët ata që insistojnë të zbarkojnë në Shqipëri”, – më tha, “ashtu siç kanë bërë në Greqi…! Por këtu tek ne, i pret pushka partizane…”! Nuk kishte mbetë vend, për diskutime të tjera. Ishte e qartë se, edhe unë, ndoshta gjysëm koshient, gjendesha në kampin e “kundërshtarëve” të regjimit të ri, që po i imponohej vendit tonë. Në kundërshtim me shokun tim, suaza e mendimeve të mia, e formueme jashtë propagandës këmbëngulëse të komunistëve, për afër dy vjet me radhë, që nga dita e ndamjes, kishte fitue nji dimension të ri, të pavarun, sigurisht të paplotësuem, por megjithatë, të aftë me më dhanë nji kënaqësi të brendshme, si dhe forcën logjike me mbrojt pikëpamjet e mia, para “botës së jashtme” e sidomos, para bashkëfolësve kundërshtare.
Hap mbas hapi, po ndërtojsha botën time ku, ngjarjet e ditës, vendëse e ndërkombëtare, shiheshin nga nji optikë e përcaktueme dhe e mbështetun në parime, që unë vetë kisha pranue lirisht, si bazë e strukturës sime mendore e intelektuale. Hap mbas hapi, po kalojsha periudhën e entuziazmit djaloshar e, hyjsha në botën e matun të pjekunisë.
Atë mbramje, e kuptova mirë! Historia e ditëve të mia, paraqitej si nji proces dekompozimi i shpresës së ngjallun gjatë “Luftes Nacional-Çlirimtare”, i mohimit të rolit demokratik të autoritetit të zgjedhun nga populli, ashtu si u premtue gjatë luftës dhe zëvendësohej me nji strukturë të re, ma të përqendrueme, ma të pashpirt, e ma të padrejtë se çdo tjetër formë shtetnore të njohun në vendin tim, deri atë ditë. Historia e ditëve te mia, paraqitej tashti, si historia e pandershmërisë “zyrtare”, e dëshpërimit të përgjithshëm dhe e frikës, mbretneshës absolute, mbi të gjithë, tue përfshi edhe sundimtarët.
***
Pushteti i ri, më “mobilizoi” si nëpunës në Seksionin e Rindërtimit. Fillova punën rutinore të zyrtarit, pa entuziazëm. Megjithatë, brenda pak ditësh, kuptova rëndësinë e funksionit që më ishte caktue. Me ardhjen e ndihmave të para “aleate” (UNRRA), punimet e rindërtimit të vendit të shkatërruem, morën vrull. Në këtë veprimtari të pandërpreme, u gjeta papritmas i angazhuem plotësisht, me dëshirën e madhe të kontributit vullnetar. Isha në zyrë që në orët e para të mëngjesit, e delsha në orët e para të natës. Nuk më imponohej. Ishte dëshira ime, me qenë sa ma shumë brenda “kantierit” të punës rindërtuese. Ekipi i zyrës sonë, përbëhej nga elementë “indiferentë” në politikë, por “zyrtare” të rregullt.
Fryti i punës sonë dukej qartë. Pothuajse çdo javë rindërtohej nji urë e vogël, shtrohej nji rrugë e damtueme, ose përmirësohej nji ndërtesë qeveritare. Entuziazmi i punës rreth meje, më rrëmbeu. Isha pjesë e ndërmarrjes së përgjithshme, për rimëkambjen e vendit tim të shkatërruem. Frika e parë me zanë punë e, me fillue jetën si nji “i pjekun”, me përballue me forcat e mia, me ndërveprue me njerëz të rij e të panjohun, kaloi shpejt. Nuk ishte ma jeta e shkollës, me shokë e me shoqe, plot andrra, aspirata e dëshira me jetue gjithnji i ri. Por nuk u dëshprova! Këtu, u ndjeva se isha dikush, isha diçka. Nga mesi i prillit, 1945, nji demonstratë e madhe e popullit të organizuem, u zhvillue para ndërtesës së prefekturës, ku gjindej edhe zyra ime.
Pankarta me emnat e udhëheqësve jugosllave, sovjetike e shqiptare, mbushën sheshin. Shkrime të çuditshme që kërkojshin anëtarësinë e Shqipnisë në Organizatën e Kombeve të Bashkueme, dhe aneksimin e Triestes nga “Jugosllavia e Titos”, lexoheshin në shirita të gjatë pëlhure, që mbajshin nalt demonstruesit! Askush nuk merrte vesh qëllimin e kësaj demonstratë, me përjashtim të organizatorëve, që shiheshin në mes të turmës, tue dhanë instruksionet e duhuna. Masa e bindun shperthente me “Rroftë”, ose “Poshtë”, si mbas sinjalit të dhanun. Mbas dy orësh demonstrimi, gjatë të cilit folësit nga balkoni premtuen, se do të njoftojshin qeverinë qendrore dhe “autoritetet jugosllave”, mbi ndjenjat patriotike dhe indinjatën e madhe të popullsisë së qytetit të Shkodrës, demonstruesit u shpërndanë, përsëri me urdhën.
Pamja e mijëra qytetarëve të mbledhun me urdhën, që manifestojshin me urdhën e shpërndaheshin me urdhën, më bani nji përshtypje të thellë e të keqe, sa që fillova të shikoj me përçmim, ata që tërhiqeshin të fundit nga sheshi kryesor. Shfrytëzimi i fjalës “popull”, i vullnetit, dëshirës dhe aspiratave të tij, në nji mënyrë kaq banale, lëkundi besimi e ushqyem në aksiomën e mendimit tim se, duhet mendue, folë e veprue, “në emën të popullit”, nëqoftëse kërkohet justifikimi moral e ligjor, i veprimtarisë sonë politike e qytetare. Atë ditë, me trajtimin e popullit si kafshë pune e, manipulimin e tij të paturp. Unë pashë nën dritën e diellit, fytyrën groteske e të zbulueme të diktaturës së kuqe, që na imponohej dhe e urrejta me fuqi.
Pak kohë ma parë, vargje të gjata kosovarësh, të mobilizuem nga “Jugosllavia e Titos”, kishin kalue nëpër rrugët e qytetit tonë. I pashë në kolona pambarim, të lodhun e të këputun, nën mbikëqyrjen e armatosun jugosllave….në tokën shqiptare! Vetëm tri ditë ma vonë, ata që shpëtuen nga “ndëshkimi”, hynë në Shkodër tinëzisht e treguen masakrën e Tivarit. Ndërkaq, populli i Shkodrës, që për shekuj ka qenë i lidhun me luftën e Kosovës, kundër ekspansionizmit serb e malazez, detyrohej tani me demonstrue publikisht, me kërkesën që Trieste, t’i kalonte Jugosllavisë! Po Kosova, kujt i mbetej? Askush nuk përgjigjej! Kosovarët e masakruem u kthyen në “derrat kosovarë”! Çdo ditë e ma shumë, “pushteti i popullit”, forconte themelet e mbështetjen e vet, mbi nji organizim racional të aparatit tij shtypës dhe mbi nji politikë pa kompromis, të eliminimit fizik të kundërshtarëve, tashma të cilësuem si “armiq të popullit”!
Ekzekutimet në masë, me gjyq e pa gjyq, sidomos në zonat malore të veriut të vendit, u banë skena të përditshme. Çdo veprim zyrtar ishte nji sinjal ma shumë se, drejtimi i marrun nga “shteti” i ri, shpinte në diktaturë. Shtypi i vendit ishte qeveritar, kundërshtimi nuk lejohej, debati ishte i rrezikshëm e dialogu po çudiste, i zëvendsuem, dalëngadalë, nga fjalimet e gjata e monologët monotonë. Sa larg ishte atë ditë, atmosfera e nji gjallnie antidespotike që, lindi në shpirtët e rij, të ushqyeme me andrra mbinjerëzore, e gatishmëni me u hedhë në të pakufishmen, si maniakët e vrapit të vetë shkatërrimit!
Sa larg ishim ato ditë, nga ajo gjallni që sillte ideali i ndërtimit të nji vepre të re, te nji bote të re e të lirë, e që ikte nga dora çdo ditë e ma shumë! Në shoqninë e re që po lindte, sillej pa drejtim nji popull, pa puls jete, pa gatishmëni me u hedhë hovshëm, në nji bote të ndryshme nga ajo e përditshmja banale, që nuk premtonte, as andje, as dëshira…!
Shpresa, zoti i vetëm që ende mban miqësinë me njeriun, që çan errësirën e lejon lundrimin në detet pa brigje, ishte në pragun e vdekjes! Propaganda “komuniste” në Shqipni, gjatë luftës, kishte diçka nga imagjinata e poetit, si; “thirrje për udhëtim”, drejt nji bote ma të mirë e premtuese. “Bukë e paqe, edhe liri”! Cili nga ne nuk lëkundet, nga nji thirrje e këtillë? S’ka ma të vorfën! S’ka ma të shtypun! Jemi të gjithë të lirë! Talljet e cinikëve të pjekun, nga mosha e përvoja e vështirë, nuk ngrejshin peshë. Ata ishin grahmat e fundit, të nji shoqnie në shtratin e vdekjes. E reja po lindte e ndritshme, plot jetë, plot premtime dhe do të ishte e jona, krejtësisht e jona! Kjo mjaftonte!
Por sot, nuk ishte e jona! Këtu ishte vështirsia, me binde masat e hutueme nga grushti i hekurt mbi kokë, se vlera dhe dobishmënia e asaj që po jetohej ato ditë, e përditshmja banale, ishte mbytëse dhe e pashpresë. Marrëzina kolektive, monstruozitete individuale, histeri qeveritare; nji shoqni në transformim të plotë, delte me skenë e nji rendi shoqnuer, të ri e të papranueshëm. Ne me të Silës, që jepte shpirt dhe Karibdës, që kërcënonte me vdekje, nji popullsi e hedhun nga ngjarjet, sa këndej, aq andej, lundronte pa busull, ecte pa drejtim të caktuem, e hynte pa kuptue në tunelin e errët, ku nuk shihej drita e daljes. Stuhia që mbuloi vendin, nuk premtonte veçse shkatërrim.
***
Nji pasion për kundërshtim e veprimtari kundër “pushtetit”, rritej çdo ditë me nji shpejtësi, që nuk isha në gjendje me ndalue. Më dukej sikur koha më ndrydhte, sikur “nuk kishte kohë” me pritë. Mosha e re ngjallte ndjenjën e urgjencës, për përpjekje me ba të pamundunën, e ishte ba zot i mendjes sime, nji sundues absolut mbi çdo dëshirë tjetër, që forconte vullnetin për veprim.
Në ato ditë revoltimi, ideali zbulonte për mue nji fushe të pamatur veprimi, nji hapësine të pafund, të pakufij, tue mos lejue jetën e përditshme, me marrë formën e nji njisie të kufizueme, të vogël, pjesore. Revoltimi ngjallte të pafrenueme dëshirën me u zgjanue, me u shtri, me pushtue me krahë e me mendje pambarimin, tue i dhanë kështu jetës, përpjestime shumëfishe, e ndjenjën e pakrahasueshme të gëzimit, kënaqësisë, frymëzimit të lindun nga ajri i lehtë i idealit, që ngren nalt, e përherë ma nalt.
Para meje ngrihej çdo ditë ma e madhe, ma e naltë, ma kërcënuese, “ndërtesa” që më zente pamjen, më pengonte hapin, e përgatiste për mue murimin e përjetshëm, qelinë time fatale, si varri i Rozafës viktimë! Në brendinë time, ndijsha gjithashtu, nji rritje të pandalshme frymëzimi për përpjekje, ballafaqim e liri. Thirrja për aksion të rrezikshëm, më çlironte njikohësisht, edhe nga prangat që më coptojshin…! Njizet vjeçari që isha unë ato ditë, bante thirrje të ngrihesha në kambë, e në vend të vapës mbytëse që kishte sjellë rendi i ri i porsavendosun, të kërkojsha stuhinë, po të ishte nevoja, në turrin rrëmbyes të saj, të freskojsha gjoksin tim që digjej, e të vdissha i kënaqun, në vorbullën e ajrit të trazuem nga forca e epshit tim kërkues. O magjia e së pakufishmes! Vetëm nji puthje nga ti mbi ballin tim, arsyeton nji jetë të tanë, e veshë me rroba lavdie, vdekjen e paevitueshme që siguron fluturimi yt i guximshëm! Sepse, i ambël asht edhe vetë shkatërrimi i trupit që prek qiellin…!
Ky turr rrëmbyes bante shumë të vështirë ballafaqimin me njerëz të thjeshtë, fytyrat e të cilëve, akoma tregojshin shpresë për nji jetë të re, fjala e tyne shprehte këtë gjë, e gjesti i tyne ishte pamja konkrete, e nji besimi në premtime. Ata nuk shihshin rreth e rrotull detin e krimit, të shtypjes, të padrejtësisë, të urrejtjes ku ishte kredhë vendi. Nuk kisha guxim me i përballue haptas e sinqerisht, me folë ashtu si flet vllau me vlla, me ju tregue me gisht kobet e përditshme e, kokët që rrokulliseshin me shpejtësi, me i zgjue nga gjumi, me i lëkundë për krahu me fuqi, me bërtitë se; “çlirimi” i njenit vlla, nuk mund të bahej me gjakun e vllaut tjetër të pafajshëm, se ligjet e reja e, fjalët që tingëllojshin si kumbonë lirie, nuk do të sillshin lirinë e premtueme, nëqoftëse ndryshimi nuk do të bahej edhe në ndërgjegjen e “fitimtarit”.
Ky ndryshim nuk ishte ba, as që premtonte nji kthesë të këtillë për të ardhmen; kjo ishte edhe tragjedia e vendit tim. Kur dëshprimi e frika me shtrëngojshin me u strukë në dhomën time të vogël, i paaftë me folë, e me dëshirën e humbun për lexim, për orë të tana përpiqesha me kuptue domethënien e këtij procesi historik, që zhvillohej nën sytë e mi, si lumi që rrjedh pa pra.
Më kujtoheshin ditët e shkollës, ushqimi i së cilës më lejonte me shtri krahët në qiellin e fluturimit mendor: periudha e antikitetit grek e roman, Rilindja europiane, zgjimi mendor i kontinentit e fenomenët e tij, iluminizmi, idetë shoqnore të shekullit të kaluem, më sillshin në mendje diçka ma themelore se emnat e mbretënve sundimtare, diçka ma pak të zhurmshme, ma pak të këndueme në kangë e të brohoritun në publik. Më vinte në mend diçka ma vetjake, ma e thellë e, që buronte si zgjimi i ndërgjegjes tek çdo njeri, si liria që del nga brenda, si ndjenja e fuqishme e nevojës së secilit me qenë nji qenie e lirë, nji njeri! /Nga Sami REPISHTI/