Shkruan në Facebook kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi: Shkodra humbi sot një vlerë të qytetit. Haxhi Fejzi Zaganjori ndërroi jetë duke lënë dhimbje e pikëllim tek familja, të afërmit, miqtë e shokët që e njohën nga afër por edhe prej larg.
Një zotni Shkodre, një klerik që rrezatonte paqe, mirësi dhe këshilla të vlefshme, nga sot do na mungojë të gjithëve. Unë dua ta kujtoj gjithmonë me një këshillë që ma përsëriste shpesh: “I madhi Zot të ndihmoftë, mos len derë pa kersitë për të drejtën”. Qofsh banor i xhenetit! Pushofsh në paqe Haxhi Fejzi Zaganjori!
Helidon Bushati: Me hidhërim mësova ndarjen nga jeta të Haxhi Fejzi Zaganjorit, njeriut që hodhi themele të forta besimi dhe vlerash në tokën e Shkodrës. Jo vetëm familja, por të gjithë që e njohën Haxhi Fejziun janë në dhimbje sot.
Përkushtimi dhe përulësia ndaj Zotit janë testamenti më i mirë që ai ka lënë pas. Jeta e Haxhi Fejzi Zaganjorit do të qëndrojë mes nesh si shembull i mirësisë dhe i përpjekjes drejt së mirës.
I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta, familjes, miqve, të gjithë komunitetit musliman, Myftinisë Shkodër, por jo vetëm. Haxhi Fejzi Zaganjori ishte miku i mirë i të gjithëve. Ishte miku i mirë i Shkodrës!