“Tava e krapit”, një nga traditat e hershme e të trashëguara të Shkodrës, duket se po merr një dimension të ri. Mbase gatimi më tradicional i çdo familje shkodrane, këtë herë do të dalë nga dyert e shtëpive dhe të lokaleve.
Një grup organizator, ka menduar që tava e krapit të ketë festën e vet, ashtu siç edhe shumë evente të tjera, me shpresë, të përvitshme. Aktiviteti është paralejmëruar të zhvillohet në pedonalen e Shkodrës, ku organizatorët i bëjnë thirrje amvisave por edhe restoranteve të bashkohen duke demonstruar një nga vlerat e spikatura të kulinarisë në Shkodër.
Festa do të ketë në qendër shijimin e tavës të krapit, por organizatorët kanë menduar edhe për muzikë, lojra por edhe konkurse të ndryshme argëtuese. Nismës së veçantë i është bashkuar edhe Ministri e Ekomonisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila e mbështet eventin.
Ndërsa për shkodranët, tava e krapit është pjesë e menusë shumë herë gjatë vitit, në brigjet e liqenit të Shkodrës apo edhe në zemër të pedonales, 23 qershori, nga ora 09.00- 17.00, në pedonale, është një mundësi edhe për shqiptarët brenda e jashtë Shqipërisë, turistët e huaj etj. /ShkodraWeb/