Shkodra do të jetë Qyteti Europian i Sportit në vitin 2025. Lajmin e ka dhënë qytetari i parë i Shkodrës Benet Beci, gjatë fjalës së tij përshëndetëse në eventin ndërkombëtar të boksit, zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
Kryetari i Bashkisë Benet Beci, ka siguruar se Shkodra do të përzgjidhet pasi tashmë është kryer edhe aplikimi i nevojshëm pranë ACES Europe me qendër në Bruksel.
ACES Europe, e shqipëruar Federata e Kryeqyteteve dhe Qyteteve Europiane të Sportit, është një organizatë partnere e Komisionit Europian dhe UNESCO.
Përzgjedhja e Shkodrës si Qyteti Europian i Sportit në vitin 2025, e vendos atë në fokusin e organizmave europiane dhe botërore, duke e kthyer mes të tjerave, edhe në një destinacion turistik, me në fokus eventet sportive.