Ditën e sotme, kanë nisur reshjet e borës në Shkodër. Situata në zonat e përmbytura rëndohet edhe më shumë. Temperaturat e ulta nën zero, bora por edhe uji rrotull me ndjesinë e izolimit, krijojnë rrethana shumë të vështira për të jetuar. Pavarësisht kësaj, nuk ka asnjë mobilizim të dukshëm nga qeveria.
Këtë fakt e ka sjellë në vëmendje Helidon Bushati, drejtues politik i fushatës së PD-së për Qarkun Shkodër, i cili sot ka qenë në Obot. Ai kërkon ndërhyrjen e qeverisë, teksa i kujton kryeministrit se Shkodra është nën përgjegjësinë e tij, sepse vazhdon të jetë pjesë e Republikës së Shqipërisë.
PUBLIKIMI I HELIDON BUSHATIT
Pse heshtni z. Kryeministër?!
Duke mos mjaftuar fakti që zona e Nënshkodrës ka 38 ditë që zgjohet dhe fle në ujë, situatën ditën e sotme e ka rënduar më shumë edhe fillimi i reshjeve të dëborës.
Çfare duhet të ndodhë më tepër që të ktheni sytë dhe vëmendjen tuaj nga Nënshkodra?!
🆘 Ju rikujtoj se Shkodra vazhdon të jetë pjesë e Republikës së Shqipërisë, e si rredhojë nën përgjegjësinë tuaj totale.