Më datë 6 janar, u denoncua në televizion vjedhja e kalit nga qytetari Florjan Halicukaj në fshatin Derragjat të Shkodrës, ngjarje e ndodhur më 15 Shtator 2020.
“Stop” publikoi edhe pamjet e kamerave të sigurisë, ku dukeshin dy djemtë të rinj që kishin marrë kalin. Policia kishte nisur hetimet për këtë vjedhje, por pavarësisht nuk kishte mundur të identifikonte dy autorët edhe pse ishin më se të dukshëm në pamjet e kamerave të sigurisë.
Por, pas transmetimit të rastit në emisionin, qytetari Florjan Halicukaj thotë se të nesërmen e ka gjetur kalin në shtëpi.
Dy të rinjtë që e kishin marrë, e kishin kthyer sërish por pa e njoftuar pronarin.
“Pas transmetimit tuaj, e panë në televizor, kali më është sjellë gjatë natës edhe në mëngjes, kur jam zgjuar, kam dalë me kry punët e mia dhe kam vrejt kalin në oborr. Falë jush kali më erdhi. Shumë faleminderit prej emisionit tuaj. Si e kanë marr e si kanë pru”, është shprehur ai.