Ishin të shumtë miqtë që shprehën solidaritetin e tyre me Elton Dedën, që shprehën keqardhjen për keqpërdorimin e një imazhi si ai i muzikantit të madh Ferdinand Deda. Njerëz të thjeshtë, por edhe artistë e bij artistësh kanë shoqëruar me mesazhe letrën e shkruar nga Elton Deda.
Shpëtim Saraçi: Zhduke këtë paturpësi!
Një ndër ta ishte edhe kompozitori Shpëtim Saraçi, i cili aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai i jep kurajë mikut të tij, për ta çuar në vend emrin e babait të vet të nderuar. “Forca Toni! Zhduke këtë paturpësi! Maestros (së vërtetë të kombit) i ka borxh e gjithë Shqipëria e jo vetëm…Sa nostalgji! Pushoftë në paqe mjeshtri!”, shkruan Shpëtim Saraçi nga larg.
Etrita Ibrahimi: Mos lejo të përdhoset emri i babait!
Po ashtu, ka reaguar edhe e bija e një tjetër mjeshtri të muzikës shqiptare, pianistja me një karrierë ndërkombëtare, Etrita Ibrahimi.
Duke i dhënë kurajë Elton Dedës, ajo i kërkon të kërkojë të drejtën, me qëllim që askush të mos përdhosë em- rin e kompozitorit të shquar.
“Toni, duhet me çdo kusht të kërkosh të drejtën e babit dhe tënden! Mos lejo askënd të përdhosë emrin e tij! Mjaft më!”, shkruan pianistja.
Blendi Salaj: Ndiq rrugën ligjore, jemi rritur me imazhin e tij
Gazetari Blendi Salaj i rekomandon Elton Dedës të ndjekë rrugën ligjore për të hequr imazhin e të atit nga kjo shoqatë. Atë imazh që ka shoqëruar fëmijërinë e tij dhe të shumë të tjerëve, përmes televizionit. “Toni, kam përshtypjen se keni të gjithë të drejtën ligjore ta kërkoni heqjen e emrit dhe imazhit të babit nga çdo send i lidhur me këtë shoqatë. Ne nuk i ngatërrojmë gjërat, por kjo duhet të ndodhë sa më shpejt. Jemi rritur me imazhin e artistit të madh, duke drejtuar orkestrën, që nuk bënte muzikë të bukur vetëm për veshin, por ishte edhe mjaft i këndshëm për syrin me tiparet e shprehitë e tij, dhe si lëvizte. Mbaj mend që kërkoja me sy, edhe pse fare i vogël, të shquaja nëse këtë këngë e dirigjonte Ferdiand Deda apo dikush tjetër”, shkruan Salaj.
Shoqata me emrin e të atit rekrutonte vajza për prostitucion/ Reagon Elton Deda
Elton Deda nuk e kishte menduar ndonjëherë se imazhi dhe emri i babait të tij të dashur, kompozitorit të jashtëzakonshëm dhe gjeniut të muzikës shqiptare, të shfaqej në kronika të turpshme për organizata prostitucioni e eskortash.
Nuk ia merrte mendja se imazhi i tij do të kthehej në “mburojë” për të mbuluar aktivitete kriminale. Pas denoncimit nga ana e emisionit “Fiks fare” të aktivitetit të “shoqatës”, e cila dërgonte vajza shqiptare në Maqedoni për të prostituuar atje dhe që për ironi mbante emrin “Ferdinand Deda”, ka reaguar i biri i kompozitorit, kantautori Elton Deda. Ai i ka shkruar një letër babait të ndjerë, i cili është ndarë 15 vjet më parë nga jeta, duke i bërë me dije atë çfarë ka ndodhur së fundmi. Përmes kësaj letre, mësojmë se gjoja shoqata artistike që mbante emrin e atit të tij, sigurisht që nuk i kishte marrë leje për përdorim emri e imazhi të të atit, e sigurisht as familjarëve.
Elton Deda me ironi thotë se nëse i ati do të kishte qenë gjallë, mund të kishte “përfituar” ndonjë lek nën dorë dhe të mbyllte ndonjë vrimë në portofol. Tek e fundit, artistët nuk bëhen kurrë të pasur e aq më tepër një idealist si Ferdinand Deda. Kantautori premton se do t’i sh- kojë kësaj pune deri në fund, derisa emri dhe imazhi i të atit të hiqet nga vula e këtij aktiviteti, ndërsa shpreh mosbesimin e tij tek institucionet shtetërore, të cilat me shumë gjasë nuk do ta vënë fare ujin në zjarr për të sqaruar këtë çështje. Dhe, në të vërtetë, nuk dëgjuam për asnjë nisje hetimi a ndonjë masë tjetër të marrë. Kanë qenë të shumtë miqtë që e kanë mbështetur Elton Dedën, duke e siguruar se ata nuk e lidhin imazhin e artistit të madh me këtë aktivitet të fëlliqur dhe se duhet të ndiqet rruga ligjore, që e drejta të shkojë në vend.
Reagimi i Plote
I dashur Baba, Nder i Kombit dhe muzikanti gjeni. Me ne fund te erdhi edhe ty rradha qe ne 15 vjetorin e vdekjes, te dalesh ne TV, jo me baketen tende ne dore por fytyra jote e pashme e stampuar ne nje vule shoqate e cila merret me prostitucion dhe eskorta. Se si eshte legalizuar kjo shoqate ne gjykate nuk e di, por me siguri kane harruar te kerkojne pelqimin tend meqenese ti ke levizur per pak kohe jashte shtetit. Gjithashtu edhe per ne familjaret e tu, harruan te na kerkojne nje autorizim te perkohshem derisa te vije ti. Meqe te erdhi shoirti ne maje te hundes dhe vendose te mos ktheheshe, keta vendosen te te kujtojne duke te respektuar dhe duke i vene emrin tend te nderuar nje shoqate. Mbase po te kishe vendosur te rrije edhe mund te kishe perfituar dicka nen dore, pa zhurme dhe mbase kishe mbyllur ndonje vrime ne portofol. Te premtoj qe do bej ç’eshte e mundur ( pasi e di qe shumepak prej baballareve te kombit do tu interesoje ta ndjekin kete ceshtje), ta heq perjetesisht fytyren tende te hijshme nga ajo vule dhe nga ai aktivitet i ndyre. Nuk mund te rri pa falenderuar Fiks Fare qe e solli ne vemendje kete fenomen. Do flasim prape Babi, qendro i forte!/panorama/