Florian Bjanku nuk është votuar nga Kuvendi në seancë plenare si antar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Shumica parlamentare ka abstenuar për emrin e Bjankut, duke mos mundësuar 84 vota të nevojshme për zgjedhjen.
Kuvendi votoi me 29 vota pro, 69 abstenim dhe 4 kundër për kandidaturën e Florian Bjankut për anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Një ditë më parë, Komisioni i Ligjeve ka zgjedhur me short Florian Bjankun si kandidat për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës.
Lista përbehej nga 4 kandidatë, Arta Mandro, Kreshnik Myftari, Florjan Bjanku dhe Juliana Bylykbashi. Ishte deputeti i PD, Gazment Bardhi i cili tërhoqi një nga goglat dhe rezultoi si i zgjedhur Florian Bjanku.
Ndërkohë, kryetarja e komisionit të ligjeve, Klotilda Bushka sqaroi edhe procedurën që do të ndiqet në Parlament.
“Florjan Bjanku rezulton nga shorti si i zgjedhur anëtar i KLP. Lista do ti shkojë seancës plenare në të cilën do të duhet një votim me shumicë të cilësuar. Nëse kjo shumicë nuk arrihet do të rikthehemi përsëri me një proces shorti në nën komision. Nëse dështon herën e dytë, do të jetë edhe hera e tretë. Në herën e tretë kandidati që del nga shorti edhe nëse nuk merr kuorumin e mjaftueshëm në Parlament do të konsiderohet si i zgjedhur anëtar i KLP”, tha Bushka.
Me gjasë, shorti nuk ka zgjedhur personin që është paracaktuar të votohet nga mazhoranca aktuale por jo vetëm, duke treguar edhe njëherë se cila është në të vertetë reforma në drejtësi.