Pas një gare të gjatë me 55 bukuroshe nga e gjithë bota, përfaqësuesja e Vietnamit është shpallur Miss Globe 2017. Ceremonia e mbajtur mbrëmjen e së premtes, në Parkun Olimpik në Tiranë, ka kurorëzuar me më të bukurën e globit bukuroshen e Vietnamit.
Miss Globe 2017 njohu këtë vit pjesëmarrjen më të lartë të vajzave të cilat përfaqësojnë vendet e tyre në këtë kompeticion bukurie të organizuar nga Deliart Association.
Khánh Ngân është një studente ekonomie dhe turizmi e cila objektiv të së ardhmes ka pikërisht këtë të fundit. Pjesëmarrja në Miss Globe dhe kurora e më të bukurës ka qëllim të përhapë në të gjithë botën bukuritë e Vietnamit shkruan Class.
Në Vietnam, bukuroshja është zgjedhur ambasadore e turizmit, ndaj edhe këtë çmim ajo ia dedikon vendit të lindjes, bukuritë e të cilit do t’i përcjellë anekënd globit.
Kurorën e Miss-it Globe, Miss Vietnam e mori nga “Miss Globe 2016”, bukuroshja indiale Dimple Patel. Pak pas marrjes së çmimit, Ngân tha se vendi i saj prezantohet për herë të parë në Miss Globe dhe ajo është shumë e lumtur që është e para që e fiton kurorën në emër të vendit të saj. Surprizë e mbrëmjes ishte edhe prezantimi i spektaklit, i cili këtë vit iu besua Leonard Bombajt dhe bashkëshortes së tij, Esmeralda Blaceri.