Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, ka rrëzuar kërkesën ankimore të PD dhe LSI për pavlefshmëri të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit në qarkun e Durrësit dhe të Shkodrës. Ndërkaq KAS ka pranuar kërkesën e LSI për rinumërimin e 108 kutive të votimit po në këtë qark. Duke nisur nga ora 10:00 e ditës së nesërme do të nisë procesi i rinumërimit për 108 kuti të këtij qarku. Për të marrë mandatin që pretendon në Durrës, LSI i duhen 136 vota shtesë nga rinumërimi.
Vendimi për rinumërim u mirëprit nga përfaqësuesi i PS në KAS, Eridjan Salianji, i cili tha se janë të bindur që mandati i tetë i PS në Durrës është legjitim dhe rezultati nuk do të ndryshojë.
Ndërsa në fund të mbledhjes së sotme, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore të PD për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Shkodër.